Studentët thirrje profesorëve: “Na mbështesni në protestën për të drejtën në gjuhën shqipe”
Studentët nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore u janë drejtuar profesorëve universitarë me një thirrje publike për mbështetje ndaj protestës së paralajmëruar. Në letrën The post Studentët thirrje profesorëve: “Na mbështesni në protestën për të drejtën në gjuhën shqipe” appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Prill 1, 2026 - 14:00
Studentët nga Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore u janë drejtuar profesorëve universitarë me një thirrje publike për mbështetje ndaj protestës së paralajmëruar.
Në letrën e tyre, studentët theksojnë rolin e profesorëve në formimin e tyre dhe kërkojnë solidaritet në këtë moment:
“Sot gjendemi përballë një sfide të tillë, ku mbështetja dhe zëri juaj janë të domosdoshëm për ne.”
Ata kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo e drejtë u është mohuar për vite me radhë:
“Kërkojmë një të drejtë që na takon me Kushtetutë dhe ligj… mundësinë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.”
Studentët njoftojnë se protesta do të mbahet më 6 prill, ora 12:30 në Shkup, me nisje nga Ura e Gurit, duke bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë.
Në apel drejtuar profesorëve, ata shtojnë:
“Ju ftojmë që të bëni apel publik për mbështetje masive të protestës paqësore dhe për pjesëmarrje dinjitoze.”
Në fund, studentët shprehen të bindur se edhe këtë herë do të kenë përkrahjen e stafit akademik:
“Jemi të bindur se edhe kësaj radhe do të qëndroni pranë nesh.”
Kjo thirrje vjen në një moment kur çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në arsimin e lartë po rikthehet si një nga temat më të ndjeshme për studentët në vend.
Profesor Izet Zeqiri: 12,937 studentë shqiptarë në Maqedoni përballen me pabarazi gjuhësore në arsimin e lartë!
Profesor Izet Zeqiri, ish-rektor në Universitetin e Shkupit (UNS), paralajmëron për një problem struktural që vazhdon të ndikojë studentët shqiptarë në Maqedoni. Sipas tij, nga 12,937 studentë shqiptarë të ciklit të parë, rreth 75% ndjekin studime në universitete ku mësimi zhvillohet kryesisht në gjuhën shqipe, si Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza”.
Megjithatë, ata përballen me një problem serioz: mungesa e mundësisë për të dhënë provimet për licencat profesionale në gjuhën shqipe, duke krijuar një hendek midis gjuhës së studimit dhe gjuhës së vlerësimit profesional. Situata është veçanërisht shqetësuese te studentët e drejtësisë, ku 95% studiojnë në gjuhën shqipe, por nuk mund të japin provimin kryesor të jurisprudencës në gjuhën e tyre.
Profesor Zeqiri thekson se ky problem nuk është i ri: “Ky është një konflikt strukturor, që vjen nga moszbatimi i amendamentit 5 të Kushtetutës dhe ligjeve për përdorimin e gjuhës. Shqiptarët kanë humbur të drejta historike që i kanë pasur që nga Kushtetuta e vitit 1974 dhe Marrëveshja e Ohrit nuk i ka garantuar plotësisht ato.”
Profesori thekson se ligjet aktuale dhe propozim-ligjet e vitit 2008 nuk e zgjidhin këtë problem: përdorimi i gjuhës shqipe në gjyqësi, polici, ushtri, administratë dhe institucionet financiare është i paplotë. “Institucionet kanë udhëheqës shqiptarë, por sërish nuk zbatojnë përdorimin e gjuhës shqipe, duke krijuar një situatë të padrejtë dhe diskriminuese,” thekson ai.
Z. Zeqiri i bën thirrje institucioneve që të ndërhyjnë dhe të garantojnë barazi: të gjithë studentët duhet të kenë mundësi të studiojnë dhe të vlerësohen në gjuhën në të cilën kanë ndjekur mësimet – një të drejtë themelore për barazi dhe drejtësi. Ai gjithashtu nënvizon të drejtën e studentëve për të protestuar paqësisht dhe për të kërkuar ndryshime që garantojnë të drejta të barabarta për të gjithë. Gazeta Flaka