Taravari: ASh në zgjedhjet lokale do të dalë me lista të veçanta për këshilltarë, të hapur për bashkëpunim edhe me partitë tjera

Në zgjedhjet lokale, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit do të dalë me lista të veçanta për kandidatët për këshilltarë komunalë, ndërsa për kandidatët për kryetarë komune janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë. Kjo u vendos në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë qendrore të kësaj partie, në të cilën kanë diskutuar për […]

Prill 16, 2025 - 13:00
 0  7
Taravari: ASh në zgjedhjet lokale do të dalë me lista të veçanta për këshilltarë, të hapur për bashkëpunim edhe me partitë tjera
Arben Taravari. Foto printscreen

Në zgjedhjet lokale, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit do të dalë me lista të veçanta për kandidatët për këshilltarë komunalë, ndërsa për kandidatët për kryetarë komune janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë. Kjo u vendos në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë qendrore të kësaj partie, në të cilën kanë diskutuar për zgjedhjet lokale, transmeton Portalb.mk.

Kreu i ASh-së bëri të ditur se megjithatë janë pjesë e VLEN-it.

“Ne jemi pjesë e VLEN-it, por e shohim si zhvillohen ngjarjet dhe ne bazë të saj sjellim vendimet. Tash për tash në listat për këshilltarë ne shkojmë vetëm”, tha Taravari. 

Ai shtoi se janë të hapur për bashkëpunim të ndërsjellë edhe me partitë tjera për kryetar komune.

“Pash unitet të paparë në këtë mbledhje të kryesi qendrore. ASH u mundua të imponojë mjet për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komune – që janë anketat, por kjo u refuzua. Ultimatumet nuk i duam. Afati ishte që të vendosim deri sot. ASH vendosi që në të gjitha komunat ku garojnë shqiptarët do të del me lista të veçanta për këshilltarë komunal. Jemi të hapur për bashkëpunim me partitë tjera për kandidatë për kryetarë komune. Nga muaji maj kemi filluar me konsolidimin e degëve dhe nëndegëve”, tha Taravari.

Ai nuk e përjashtoi bashkëpunimin as me BDI-në, ndërsa në lidhje me këtë tha se “do të shohim si do të ecin punët dhe do të vendosim edhe për kandidatët për kryetarë të komunave”.

“Jemi ende pjesë e VLEN-it, nëse ata vendosin ndryshe, ne normalisht do të sjellim vendimin tonë. Për kandidatët për kryetarë komune do të shohim si do të ecin punët dhe do të vendosim”, tha Taravari.

Në pyetjen se a kanë diskutuar edhe çështjen nëse mundohen t’i nxjerrin nga Qeveria, Taravari tha se për këtë vendosë Kryeministri

“Aty vendos kryeministri. Ai që e formon qeverinë është kryeministri, nëse vendos nuk kemi asnjë problem, por në parim me kryeministrin tash për tash kemi raporte të shkëlqyera”, tha kryetari i ASH-së, Arben Taravari.

Kujtojmë se, Taravari në një intervistë për 360 Gradë të transmetuar më 31 mars, ka bërë kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Ai tha se, koalicioni ka shumë mangësi dhe mospërputhjet e koalicionit shihen nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë. Kjo ka nxitur përplasje publike të liderëve të tjerë të VLEN-it me Taravarin, që kanë vazhduar që nga kjo intervistë.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje.

VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së. Mosmarrëveshjet në VLEN kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, përkatësisht rreth ndarjes së komunave.