Kos: Askush nuk mund të garantojë se edhe pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë pengesa për RMV-në drejt BE-së

Edhe nëse vendi bën ndryshimet kushtetuese, askush nuk mund të garantojë se nuk do të përballet me pengesa të reja në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Kështu ka thënë Komisionerja Evropiane për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë së Mirë, Marta Kos, në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), raporton MIA, e […]

Prill 16, 2025 - 13:00
 0  7
Kos: Askush nuk mund të garantojë se edhe pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë pengesa për RMV-në drejt BE-së
Marta Kos. Foto printscreen nga video e EU Debates | eudebates.tv

Edhe nëse vendi bën ndryshimet kushtetuese, askush nuk mund të garantojë se nuk do të përballet me pengesa të reja në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Kështu ka thënë Komisionerja Evropiane për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë së Mirë, Marta Kos, në një intervistë për Agjencinë Evropiane të Lajmeve (ENR), raporton MIA, e cila është pjesë e ekipit redaktues, transmeton Portalb.mk.

Pyetja që Kos po përgjigjet, nëse BE-ja dhe vendet anëtare mund të garantojnë se pas zbatimit të amendamenteve kushtetuese nuk do të ketë bllokime të reja për shkak të çështjeve dypalëshe që kanë të bëjnë me identitetin, gjuhën apo historinë, vjen pas deklaratës së djeshme të kreut të diplomacisë bullgare, Georg Georgiev, i cili tha se amendamentet kushtetuese janë kushti i parë, por jo i vetmi për fillimin e negociatave nga kapitujt e BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Komisionerja evropiane për zgjerim thotë se është e kuptueshme që vendi kërkon garanci, por nuk mund t’i ketë.

“Ne e kuptojmë se kjo nuk është një çështje e lehtë. Ndryshimi i Kushtetutës. Ne e kuptojmë dhe është shumë njerëzore dhe e kuptueshme që vendi juaj dëshiron të ketë garanci pas gjithçkaje që ka kaluar. Nuk mund të ketë garanci, por ajo që pres nga të gjitha vendet anëtare kur ka çështje dypalëshe është që bisedimet të zhvillohen në mirëbesim dhe me një vizion për të arritur një kompromis”, thotë Kos.

Megjithatë, ajo shton se kjo nuk do të thotë se Komisioni Evropian (KE) nuk po punon për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut që të fillojë negociatat në klasterë.

Kos gjithashtu theksoi se është e angazhuar personalisht në çështjen bilaterale me Bullgarinë dhe se sot po niset për në Sofje për takime me politikanët bullgarë. Pas kësaj, siç bën të ditur ajo, do të vijojnë kontaktet me politikanët në vend.

Sipas komisioneres evropiane, do të ishte mirë që çështjet dypalëshe të mos ndërhynin në procesin e anëtarësimit në BE, por kjo, shtoi ajo, nuk do të thotë se çështjet dypalëshe nuk janë të rëndësishme.

“E dini, unë mund të kuptoj se Hungaria po lufton për pakicën e saj (në Ukrainë). Mund të kuptoj që Bullgaria po bën të njëjtën gjë, por është keq kur kjo me të vërtetë ndërhyn në procesin e pranimit,” thotë Kos.

Ajo shprehu shpresën se së shpejti do të gjendet një zgjidhje për të zhbllokuar procesin e pranimit të vendit dhe se sapo të ndodhë kjo, negociatat në klasterë mund të fillojnë pa kushte të reja.

“Prandaj po themi, ju lutemi bëni reformat dhe bëhuni gati për të hapur kllasterin e parë”, thotë ajo.

Lidhur me kushtet aktuale, komisionerja evropiane thekson edhe një herë se e kupton plotësisht zhgënjimin e njerëzve në vend për integrimin evropian.

“E dini, kur Jugosllavia u prish, Maqedonia, në atë kohë, ishte republika e dytë më e zhvilluar në ish-Jugosllavi. Për krahasim, le të themi nëse Ukraina do të duhej të priste për të filluar negociatat për aq kohë sa vendi juaj po pret, ne do të ishim në gjendje t’i fillonim ato në 2045”, shton Kos.

Komisionerja evropiane thekson se edhe pse ka një dinamikë të re në procesin e zgjerimit, ajo mbetet e bazuar në merita, por ajo që tani po ndikon pozitivisht është se ka një vizion të ri të Bashkimit Evropian për përshpejtimin e anëtarësimit.

“Nga ana tjetër, edhe ne, veçanërisht përmes Planit të Rritjes, po përballemi me një lloj presioni të kolegëve, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor. Dhe atëherë kemi dallime. Për shembull, ju e dini, Shqipëria ishte së bashku me Maqedoninë e Veriut. Tani, pas ndarjes, Shqipëria ka bërë një përparim vërtet të mirë. Por ne nuk do të lëmë asnjë vend pas. Jemi shumë të përkushtuar që t’i sjellim të gjithë në Bashkimin Evropian. Por sigurisht, ne do t’i përmbahemi meritave dhe do të shohim. Jemi me të vërtetë të përfshirë shumë në çështjet dypalëshe, të cilat janë mjatueshëm (në Ballkanin Perëndimor)”, tha Kos në një intervistë me ENR.

Para dy ditësh, ministri i Jashtëm bullgar Georg Georgiev në një intervistë për televizionin bullgar “BG on Air” tha se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është kushti i parë, por jo i vetmi për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse nuk është bilateralizëm, por zbatim i konsensusit evropian.

Në përgjigje të vërejtjes së gazetarit se këto kushte nuk janë paraqitur plotësisht në Shkup, gjegjësisht politikanët maqedonas i paraqesin amendamentet kushtetuese si të vetmen dhe jo të parën kërkesë në proces, Georgiev ka theksuar se vazhdimisht e përsërit të njëjtën gjë.

“Unë rregullisht, me shumë dashjamirësi, ua theksoj këtë kolegëve të mi. Nuk dua të besoj se kjo po bëhet qëllimisht ose me ndonjë qëllim të fshehtë. Përkundrazi, janë përcaktuar qartë kushtet, të shkruara bardhë e zi, që duhet të kalojë procesi”, tha ai.

Georgiev theksoi gjithashtu se qëndrimi i Sofjes është kristal i qartë dhe se ajo nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj.

Kujtojmë se me ardhjen e VMRO-DPMNE-së në pushtet ka ndryshuar edhe retorika ndaj BE-së. Tani nuk flitet për kushtin që duhet të përmbush Maqedonia e Veriut në lidhje me ndryshimin e Kushtetutës, por kryefjala e ekzekutivit është se Evropa duhet të jetë parimore dhe të mos veprojë me standarde të dyfishta. Insistimi i VMRO-DPMNE-së, dhe kushti i saj për garanci në rrugëtimin drejt BE-së, e pastaj ndryshimet kushtetuese shkon në kundërshtim me kushtin e BE-së për negociatat.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.