Taravari: Mospërputhja e VLEN-it në Qeveri shihet nga 100 kilometra larg

Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, në një intervistë për 360 Gradë, ka bërë  kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Sipas tij, koalicioni funksionon “plogët” dhe duhet gjetur një model për sinkronizim më të mirë, transmeton Portalb.mk. “Mendoj se kemi shumë mangësi. Nuk varet aq nga kryeministri Mickoski, […]

Prill 1, 2025 - 04:00
 0  5
Taravari: Mospërputhja e VLEN-it në Qeveri shihet nga 100 kilometra larg
Arben Taravari, foto nga profili i tij në Facebook

Ministri i Shëndetësisë dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, në një intervistë për 360 Gradë, ka bërë  kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Sipas tij, koalicioni funksionon “plogët” dhe duhet gjetur një model për sinkronizim më të mirë, transmeton Portalb.mk.

“Mendoj se kemi shumë mangësi. Nuk varet aq nga kryeministri Mickoski, sa nga ne. Ka një mospërputhje që shihet nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë. Përshtypja e njerëzve, që është më e keqja për ne, është se VLEN ka një pozicion shumë të dobët në Qeveri. Unë sapo kam bërë një anketë të përgjithshme rreth tre sondazheve. 70% e popullsisë shqiptare është se VLEN nuk funksionon mirë, nuk është i kënaqshëm përfaqësimi i shqiptarëve në Qeveri”, thotë ai.

Në intervistë, Taravari ka sqaruar se kur flet për përfaqësimin e shqiptarëve në Qeveri nuk e ka parasysh sasinë, por cilësinë.

“Nëse e merr në mënyrë sasiore, domethënë numrin e ministrave, numrin e drejtorëve, përfaqësimi i VLEN-it në Qeveri është në rregull. Megjithatë, nëse e merr në mënyrë cilësore, nuk është ashtu siç duhet, nuk funksionon ashtu siç duhet dhe kjo është përshtypja e përgjithshme e shumicës, e kam fjalën për shqiptarët”, shton Taravari.

Pikëpamjet e tilla të Arben Taravarit vijnë në një periudhë të spekulimeve gjithnjë e më të larta se ai është një këmbë jashtë VLEN-it dhe më afër BDI-së. Prova e parë reale dhe ndoshta e fundit e koalicionit janë zgjedhjet e ardhshme lokale.

VLEN për momentin nuk arrin të merret vesh nëse do të veprojë me lista të përbashkëta për këshilltarë dhe kandidatë për kryetarë komune. Taravari, shton se kjo çështje ka histori që nga viti i kaluar, kur u hap ideja që VLEN nga koalicion të shndërrohej në një parti të vetme.

“Konstatimi ynë i përbashkët në korrik apo gusht të vitit të kaluar ishte se është më mirë të shkojmë me katër parti deri në zgjedhjet lokale dhe pas zgjedhjeve lokale të përpiqemi të jemi një parti. Megjithatë, atëherë, pikërisht në atë takim, thashë – nëse shkojmë me katër parti, atëherë do të ishte mirë që listat e këshilltarëve t’i kishim për vete. Sepse unë e di, në vitin 2021, me Alternativën, ishim bashkë në zgjedhjet lokale dhe sa shumë mundime kishim për të rënë dakord dy parti për të njëjtën listë këshilltarësh. Dhe imagjinoni, tani do të vijmë në situatën e katër partive për një listë këshilltarësh”, thotë ai.

Taravari është pyetur edhe për takimin e fundit në Prishtinë të liderëve të VLEN-it me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai përsëriti atë që u tha më herët se Kurti është shok dhe i këshillon dhe se ndryshe nga shkrimet në media, takimi ka kaluar në një atmosferë korrekte.

I pyetur nëse hapat e tij janë frymëzuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për shkak të shqetësimeve për statusin e shqiptarëve në vend, Taravari është përgjigjur – jo. Gjithashtu, ai vlerësoi kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kritikoi jokompetencën e zgjidhjeve kadrovike të VLEN-it.

“Mendoj se statusi i shqiptarëve nuk është i keq në Maqedoni. Nuk ka ndodhur kurrë që të ketë një marrëdhënie kaq korrekte mes kryeministrit dhe partnerëve të koalicionit. Kjo është super korrekte, të jem plotësisht i sinqertë. Megjithatë, drejtorët, zëvendësdrejtorët, zëvendësministrat, nuk mendoj se funksionon tamam ashtu siç duhet… Megjithatë, në përgjithësi, më lejoni të them përsëri, ai raport, ajo marrëdhënie me kryeministrin është plotësisht korrekt dhe këtë e kam thënë kudo – nga Prishtina, në Tiranë dhe kudo që shkoj. Mirëpo, më poshtë, neve na duhet, për shembull, ja do të marr tabelat që janë vendosur në rrugë, nga tregjuhëshe – dygjuhëshe dhe duhet të merremi me media me nga tre ditë, dy ditë, me konferenca për shtyp të BDI-së, pastaj VLEN-in, për gjëra që janë vërtet banale. Mirëpo, fatmirësisht në këtë periudhë nuk ka pasur as raste të sajuara, as arrestime me urdhër, as skandale të bëra nga përfaqësuesit e Qeverisë. Dhe në këtë kontekst, mendoj se është ‘okej’ funksionimi. Megjithatë, kur shkojmë më poshtë, nuk është përshtypja ime, është një përshtypje e përgjithshme, se nuk është ashtu siç duhet, ndërsa mund të jetë shumë më mirë”, tha Taravari në intervistë.

I pyetur se si e parashikon që VLEN të paraqitet në zgjedhjet e ardhshme, ai u përgjigj:

“Uroj të gjejmë një formulë për të dalë së bashku dhe shpresoj të gjejmë një formulë, të paktën deri në zgjedhjet lokale. Diçka, të paktën intuita ime thotë se qëndrueshmëria e VLEN-it si parti edhe pas zgjedhjeve, mendoj se është pothuajse një mision i pamundur. Ndoshta e kam gabim, do ta tregojë koha”, tha ministri.

Ndryshe, siç po shihet, partneri shqiptar në qeverinë e Maqedonisë së Veriut, koalicioni VLEN nuk po i jeton ditët më të mira sa i përket harmonisë brenda partive që formuan koalicionin si dhe ujdisë së mundshme për zgjedhjet lokale që do të mbahen në fund të këtij viti. Shkuarja në zgjedhje lokale e VLEN-it, nga të njëjtat parti siç u bashkuan për parlamentaret është bërë temë që ka ndarë mendimet e subjekteve që përbëjnë koalicionin VLEN.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së.

Kujtojmë se zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale. Sipas rezultateve të 8 majit, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6.