Taravari: Pesë nga pacientët që po trajtohen në Spanjë dhe Greqi sot do të kthehen në vend
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taraivari, në deklaratën e sotme për mediat informoi se sot edhe 5 pacientë do të kthehen nga jashtë, prej të cilëve 4 nga Spanja dhe një nga Greqia, dhe tashmë po rritet numri i pacientëve që janë të gatshëm për t’u kthyer, transmeton Portalb.mk. “Lajm i mirë është që po ulet […]


Ministri i Shëndetësisë, Arben Taraivari, në deklaratën e sotme për mediat informoi se sot edhe 5 pacientë do të kthehen nga jashtë, prej të cilëve 4 nga Spanja dhe një nga Greqia, dhe tashmë po rritet numri i pacientëve që janë të gatshëm për t’u kthyer, transmeton Portalb.mk.
“Lajm i mirë është që po ulet numri i pacientëve që trajtohen jashtë vendit. Aktualisht janë 113 pacientë, ndërkohë që dje u kthye një pacient nga Serbia dhe një paciente nga Bullgaria. Pacientët që kthehen sot do të jenë nën mbikëqyrje 24-orëshe sipas protokollit. Nëse konsiliumi i mjekëve vendos që mund të lirohen, ata do të dërgohen në trajtim shtëpiak ose do të vazhdojnë trajtimin në një nga klinikat tona. Janë paralajmëruar edhe 4 pacientë të tjerë për t’u kthyer, por për këtë do të japim informata shtesë nesër. Deri në fund të ditës, 108 pacientë do të vazhdojnë trajtimin jashtë vendit. Shpresoj që deri në fund të javës të kemi edhe më shumë pacientë që do të kthehen,” tha ministri Taraivari.
Aktualisht, në spitalet e vendit po trajtohen 23 pacientë, prej të cilëve 4 në Qendrën Klinike (2 në kirurgjinë plastike dhe 2 në toksikologji), 6 pacientë në Spitalin e Vjetër të Qytetit, 9 në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori”, prej të cilëve njëri është gati për t’u liruar, dhe në Sistina janë 4 pacientë. Të gjithë këta pacientë janë në gjendje stabile dhe të mirë.
Katër pacientë, siç tha ministri, janë ende në gjendje stabile por kritike.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.