Tetova në kaos urbanistik: Mafia urbane lulëzon, Kasami arsyetohet

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami gjatë një interviste për 360 Gradë i pyetur për problemet urbanistike në Tetovë si ndryshimi i planeve urbanistike në favor të bizneseve dhe ndërtimit të objekteve me më shumë kate se sa të planifikuara si dhe mungesa e parkut të qytetit, u arsyetua se mbështetë bizneset dhe se park do […]

maj 13, 2025 - 14:00
 0  4
Tetova në kaos urbanistik: Mafia urbane lulëzon, Kasami arsyetohet
Tetova, foto nga Portalb.mk

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami gjatë një interviste për 360 Gradë i pyetur për problemet urbanistike në Tetovë si ndryshimi i planeve urbanistike në favor të bizneseve dhe ndërtimit të objekteve me më shumë kate se sa të planifikuara si dhe mungesa e parkut të qytetit, u arsyetua se mbështetë bizneset dhe se park do të ketë, transmeton Portalb.mk. 

I pyetur për ndryshimet e planeve urbanistike nga bizneset dhe ndërtimin e ndërtesave me më shumë kate se sa ishin të planifikuara në fillim, ai tha se nëse jo të gjitha, atëherë ka shumë të ngjarë që të gjitha ato ndërtesa të jenë filluar para se ai të vijë në pushtet në Tetovë.

“Dhe si në raste të tjera, po përpiqem të gjej një zgjidhje. Ajo që u keqinterpretua në publik, deklarata e kreut të sektorit të planifikimit urban se është e rëndësishme që ne t’i marrim paratë”, tha Kasami. 

Por kur u pyet se çfarë bëjnë ndryshe përveç që i legalizojnë ato, Kasami tha se “në vend që ato para të shkojnë në xhepat e dikujt, do të shkojnë në buxhetin e komunës dhe projektet do të zbatohen”. 

“Ky është qëllimi i komunës, të mbledhë para dhe të zbatojë projekte. Pra, gjëja tjetër që biznesi planifikon ta zbatojë, është e vërtetë, po e them publikisht, unë jam në mbështetje të bizneseve, kushdo që dëshiron të ndërtojë duhet të vijë në Tetovë. Por, në të njëjtën kohë, ne po punojmë aty ku mund të lirojmë më shumë hapësirë publike, dhe qytetarët e Tetovës e dinë këtë”, tha Kasami. 

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar nisma “Tetova do Park”. Sipas tyre, Kasami bëri deklarata shqetësuese në lidhje me ndërtimet e paligjshme në të gjithë qytetin, veçanërisht në një kohë kur shteti po e thekson luftën kundër korrupsionit si një përparësi kryesore. 

“Kryetari i komunës thotë se i mbron bizneset dhe se edhe pse dikush mori miratim për katër kate dhe ndërtoi tetë, ai është i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje për investitorët. Këtu nuk bëhet fjalë për mbrojtjen e bizneseve, por për mbrojtjen e mafies urbane”, thanë nga Tetova do Park. 

Ndërsa kur u pyet se qytetarët duan park, Kasami tha se park do të ketë. 

“Në “Shik Jellak”. Pra, herën e fundit u nis një iniciativë për të ndryshuar planin urbanistik, sepse më vonë morëm informacion se pjesa më e madhe e tokës është ende në pronësi të shtetit, ajo pjesë do të ripërdoret për institucione shtetërore, do të ndërtohen disa objekte që i nevojiten komunës, do të ndërtohen disa agjenci të tjera shtetërore në Tetovë, por më shumë se kaq do të jetë një park, do të jetë kënd lojërash, do të jetë hapësirë me interes publik“, tha Kasami. 

Sipas nismës Tetova do Park, kryetari i Komunës së Tetovës mësoi vetëm në fund të mandatit të tij se toka që mbulon parku industrial “Jellak” është kryesisht në pronësi të shtetit, prandaj tani po njofton ndërtimin e ndërtesave publike atje për nevojat e komunës dhe institucioneve të tjera shtetërore, dhe pjesa më e madhe e saj do të ishte park. 

“Është mirë që e “zbuloi” pronësinë e tokës, por për fat të keq ende nuk e ka kuptuar se çfarë është një park i vërtetë dhe çfarë është gjelbërimi midis ndërtesave…Gjelbërimi midis ndërtesave publike ose banesore nuk është park. Një park është një sipërfaqe e tërë më e madhe se një hektar… Një park formohet duke ndryshuar PGJU-në dhe duke shtuar qëllimin kryesor D (parqe dhe gjelbërim) dhe zhvillohet në PDU”, theksuan nga Tetova do Park. 

Ndryshe, ndonëse Tetova është një nga qytetet më të mëdha në vend, nuk ka park të qytetit. Aktivistët e mjedisit me vite kërkojnë që autoritetet lokale të gjejnë zgjidhje, por kjo nuk ka qenë prioritet për pushtetin lokal edhe pse në programin zgjedhor kanë premtuar zgjerim të hapsirave të gjelbra. Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se park do të ketë me miratimin e planit gjeneral urbanistik të ri, i cili as këtë vit nuk pritet të kryhet. 

Ndryshe, plani gjeneral urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.