Toshkovski: Janë shkarkuar 15 zyrtarë të lartë të policisë për shkak të dhënies selektive dhe të paligjshme të lejeve për armë

Rreth 15 zyrtarë të lartë policorë janë shkarkuar nga puna pasi Komisioni i revizionit të MPB-së ka konstatuar se në vitet e fundit leje për armëmbajtje në mënyrë selektive dhe të paligjshme u janë dhënë personave që nuk i plotësojnë kushtet. Në të njëjtën kohë, siç informoi ministri Toshkovski, në paraqitjen për TV Sitel, komisionet […]

Nëntor 15, 2024 - 12:00
 0  3
Toshkovski: Janë shkarkuar 15 zyrtarë të lartë të policisë për shkak të dhënies selektive dhe të paligjshme të lejeve për armë
Pançe Toshkovski, ministër i MPB-së në Qeverinë teknike. Foto printscreen nga video e TV Sitel

Rreth 15 zyrtarë të lartë policorë janë shkarkuar nga puna pasi Komisioni i revizionit të MPB-së ka konstatuar se në vitet e fundit leje për armëmbajtje në mënyrë selektive dhe të paligjshme u janë dhënë personave që nuk i plotësojnë kushtet. Në të njëjtën kohë, siç informoi ministri Toshkovski, në paraqitjen për TV Sitel, komisionet që kanë vendosur për raste të tilla në të kaluarën ua kanë mohuar të drejtën për marrjen e lejes për armëmbajtje personave që kanë përmbushur kushtet, transmeton Portalb.mk.

Ky veprim selektiv dhe i paligjshëm, për shkak të të cilit mbetën të pazbardhura mbi 5000 lëndë që kishin të bënin me dhënien e lejeve të armëve, ndërsa vetëm një pjesë patën epilog.

“Është sekret publik se komisionet që kanë punuar në këtë lloj çështjesh në të kaluarën kanë vepruar në mënyrë jashtëzakonisht selektive, të motivuar nga ndonjë lloj tjetër mjetesh motivuese të paligjshme, për të nxjerrë një numër të caktuar çështjesh nga 5000 të ngritura në bazë vjetore, i kanë zgjidhur vetëm disa lëndë ashtu siç kanë menduar se duhet t’i zgjidhin. Dua ta informoj opinionin se gjatë ditës së sotme, gjegjësisht këtyre ditëve dhe për një periudhë më të gjatë kohore është konstatuar ky fakt nga ana ime dhe tashmë ka zgjidhje”, tha Toshkovski.

Komisioni i auditimit që u formua për të hetuar këtë, siç tha ministri, konstatimet i ka dorëzuar Departamentit të Kontrollit të Brendshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili pas një hetimi të plotë ka paraqitur propozim në Departamentin e Procedurave Disiplinore për zbatimin e procedurave për një numër më të madh personash në Ministri.

“Mendoj se diku rreth pesëmbëdhjetë personave, të cilët kanë qenë zyrtarë të lartë policorë në kuadër të funksionimit të pushtetit të kaluar, u janë shqiptuar masa disiplinore dhe janë shkarkuar nga komisioni disiplinor”, ​​tha Toshkovski.

Po ashtu, ministri ka bërë të ditur se sipas udhëzimit të prokurorit publik kundër të gjithë atyre që do të konstatohet se kanë kryer vepër penale në ditët në vijim do të bëhet kallëzim përkatës penal.

“Ata kanë merituar shkarkimin, janë shkarkuar në kuadër të procedurës disiplinore dhe sipas udhëzimeve të prokurorit publik do të vijojë procedurë përkatëse penale për ata për të cilët ka elemente se kanë kryer vepër penale. Pra, në periudhën e kaluar armë u jepeshin personave që ligjërisht nuk kishin të drejtë të posedonin armë, gjë që është e palejueshme. Dhe në të njëjtën kohë, personat të cilët i ushtrojnë të drejtat e tyre nuk janë lejuar ta përfundojnë procedurën dhe kështu janë lënë ashtu mbi pesë mijë kërkesa”, tha Toshkovski në intervistë.

Por me këtë, siç tha ministri, një pjesë e problemit zgjidhet.

Do të digjitalizohet procedura për dhënien e lejeve për armëmbajtje

Për të zgjidhur pjesën tjetër, që ka të bëjë me qytetarët, Toshkovski paralajmëroi digjitalizimin e procesit të dhënies së lejeve për armëmbajtje, me çka komisioneve dhe zyrtarëve të MPB-së do t’u mohohet e drejta diskrecionale për të vendosur se kush do të marrë e kush jo leje për armë.

Risia, siç sqaroi Toshkovski, parasheh që Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë të bëjnë kontrolle nëse një qytetar i plotëson apo jo kushtet për të poseduar armë përmes bazave të të dhënave të tyre. Kështu, për shembull, në vend që si më parë, qytetarët që duan të kenë të drejtën e posedimit të armëve, t’i drejtohen vetë gjykatës për të konfirmuar se nuk janë dënuar, këto të dhëna do të jepen nga Ministria e Brendshme dhe e Drejtësisë.

I pyetur nëse do të ketë auditim se kush posedon armë në vend, ministri i Punëve të Brendshme tha se edhe kjo po konsiderohet si një procedurë që do të duhet ta bëjmë në të ardhmen.

“Ne po mendojmë të kalojmë një ligj të ri që do të duhet të rregullojë të gjitha këto të drejta, të harmonizojë disa të drejta me të drejta që le të themi qytetarët e Bashkimit Evropian i gëzojnë ose duhet t’i respektojnë. Hap pas hapi do të zgjidhim problemet e qytetarëve, hap pas hapi do të japim rezultate, por asgjë nuk bëhet brenda natës. Duhet të kemi një analizë të thellë, duhet të punojmë me përkushtim në interes të qytetarëve, duhet të gjejmë zgjidhje sistematike”, tha në intervistë ministri i Punëve të Brendshme.

Kujtojmë se leje për armbajtje kanë edhe zyrtarë shtetëror. Deputeti i ZNAM-it, Pavle Arsoski posedon një koleksion armësh. Në fletën anketuese që ai e ka dorëzuar si deputet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Arsoski ka deklaruar pesë armë zjarri, të gjitha të marra me kontratë për blerje. Ajo që është e dyshimtë është se vlera e tyre e deklaruar e shprehur në denarë është shumë e vogël dhe sillet nga 42 deri në 90 denarë.

Admirues i armëve është edhe kolegu i tij deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Rijad Shaqiri. Në emër të tij ai ka regjistruar tre armë me vlerë të përgjithshme prej rreth 2.500 euro. Arma më e shtrenjtë e regjistruar ka vlerë prej një mijë eurosh dhe të tria i ka me leje për armëmbajtje.