RMV, shërbimet e Regjistrit qendror sërish falas për gazetarët

Pas një pauze disa mujore, gazetarët sërish do të mund të përdorin Regjistrin qendror falas. Parlamenti dje ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Regjistrin Qendror, me të cilin gazetarët me kërkesë me shkrim do të mund të marrin pa pagesë të dhëna nga regjistri për qëllime hulumtuese. Pauza erdhi për shkak të qëndrimit të qeverisë […]

Nëntor 15, 2024 - 12:00
 0  3
RMV, shërbimet e Regjistrit qendror sërish falas për gazetarët
Regjistri Qendror. Foto nga faqja në Facebook e Regjistrit Qendror.

Pas një pauze disa mujore, gazetarët sërish do të mund të përdorin Regjistrin qendror falas. Parlamenti dje ka miratuar ndryshimet në Ligjin për Regjistrin Qendror, me të cilin gazetarët me kërkesë me shkrim do të mund të marrin pa pagesë të dhëna nga regjistri për qëllime hulumtuese. Pauza erdhi për shkak të qëndrimit të qeverisë së re se ky shërbim falas duhet të rregullohet me ligj, transmeton Portalb.mk.

Deri në tetor, gazetarët që kishin nevojë për informacion në lidhje me kompanitë që i hulumtonin nga baza e të dhënave të Regjistrit Qendror i referoheshin një vendimi të qeverisë të vitit 2017. Me këtë mekanizëm, gazetarët parashtronin kërkesa me shkrim të firmosura nga një redaktor dhe më pas shkonin në regjistër ku përdornin kompjuterët e punonjësve të institucionit me të dhëna nga databaza.

Muajin e kaluar, udhëheqja aktuale e Regjistrit Qendror vendosi që vendimi i qeverisë së kaluar nuk mund të jetë mbi ligjin, sipas të cilit kompensim nuk paguajnë vetëm “përfituesit e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut nga fusha e legjislacionit, pushteti ekzekutiv dhe gjyqësor, si dhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore”. Gazetarët nuk ishin në ligj.

Me këtë arsyetim, regjistri e ndaloi praktikën e qasjes së lirë të gazetarëve, gjë që është e mundur sërish me ndryshimet e fundit ligjore.

Kujtojmë se shërbimi falas për gazetarët u miratua para shtatë vitesh nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë. Me këtë masë të sjellë atëkohë , Qeveria plotësoi njërën nga kërkesat e mediave dhe shoqatave të gazetarëve për sigurim të qasjes së lirë në burimet e informatave me domethënie të veçantë për gazetarinë hulumtuese.