Tragjedia në Koçan, Pajaziti: Taravari është një shembull i reagimit të duhur në kohë
Tragjedia e 16 marsit në një diskotekë në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj dhe mbi 150 u plagosën, ka nxjerrë në pah dështimet e thella institucionale dhe keqpërdorimet politike që e rrethuan këtë ngjarje të rëndë, vlerëson gazetari Naser Pajaziti. Pajaziti në një reagim publik theksoi se pavarësisht këtij kaosi institucional, menaxhimi i […]

Tragjedia e 16 marsit në një diskotekë në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj dhe mbi 150 u plagosën, ka nxjerrë në pah dështimet e thella institucionale dhe keqpërdorimet politike që e rrethuan këtë ngjarje të rëndë, vlerëson gazetari Naser Pajaziti.
Pajaziti në një reagim publik theksoi se pavarësisht këtij kaosi institucional, menaxhimi i shpejtë dhe efikas i situatës nga Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin e ministrit Arben Taravari, është një shembull i reagimit të duhur në kohë.
“Në mungesë të kapaciteteve vendore për trajtimin e djegieve të rënda, autoritetet shëndetësore organizuan me efikasitet transferimin e pacientëve në gjendje kritike drejt spitaleve në rajon dhe Evropë, duke siguruar kujdesin e nevojshëm për të shpëtuar jetë,” shkruan Pajaziti.
Ai ka kujtuar gjithashtu se ky reagim i shpejtë ndihmoi në shmangien e një tragjedie edhe më të madhe, duke e krahasuar me rastin e diskotekës “Colectiv” në Rumani në vitin 2015. Atëherë, për shkak të dështimeve në sistemin shëndetësor, numri fillestar i viktimave u dyfishua për shkak të infeksioneve spitalore, mungesës së pajisjeve dhe vonesave burokratike në transferimin e pacientëve jashtë vendit.
“Ky nuk është lavdërim politik, por një fakt. Kur institucionet veprojnë me përgjegjësi dhe pa humbur kohë, jetët mund të shpëtohen,” thekson ai.
Megjithatë, Pajaziti nënvizon se kjo tragjedi është një alarm për situatën e rëndë në sistemin shëndetësor dhe nevojën urgjente për investime të menjëhershme për të shmangur katastrofa të ngjashme në të ardhmen.a