Trump deklaron se ka “gjetur zgjidhje” për autizmin
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një njoftim që ai e konsideron “një nga më të mëdhenjtë mjekësorë në historinë e vendit”, i cili do të bëhet publik të hënën në Shtëpinë e Bardhë dhe do të lidhet me shkaqet e autizmit. Deklarata e tij u bë gjatë një ceremonie përkujtimore për aktivistin konservator Charlie […]

Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar një njoftim që ai e konsideron “një nga më të mëdhenjtë mjekësorë në historinë e vendit”, i cili do të bëhet publik të hënën në Shtëpinë e Bardhë dhe do të lidhet me shkaqet e autizmit.
Deklarata e tij u bë gjatë një ceremonie përkujtimore për aktivistin konservator Charlie Kirk, ku Trump tha se “mendojmë se kemi gjetur një zgjidhje për autizmin” dhe se njoftimi do të ndihmojë prindërit të kuptojnë si ndodh dhe si mund të lehtësohen pasojat tek fëmijët.
“Nesër do të kemi një nga njoftimet më të mëdha, vërtet, nga ana mjekësore, mendoj në historinë e vendit tonë. Do ta bëjmë me Bobin, Ozin dhe të gjithë profesionistët. Mendoj se do t’ju duket e mahnitshme. Mendoj se kemi gjetur një zgjidhje për autizmin. Çfarë mendoni për këtë? Nesër do të flasim në Zyrën Ovale dhe në Shtëpinë e Bardhë për autizmin, si ndodh, në mënyrë që të mos e lejojmë më të ndodhë. Dhe si të bëhet të paktën disi më mirë kur e ke, në mënyrë që prindërit të mund t’i ndihmojnë fëmijët e tyre, fëmijët e tyre të bukur. Kjo është një gjë e madhe. I kam bezdisur të gjithë atje që të gjejnë përgjigjen për këtë”, tha Trump.
Sipas raportimeve në media, njoftimi pritet të përqendrohet në një hipotezë që lidh zhvillimin e autizmit te fëmijët me përdorimin e acetaminofenit (Tylenol) gjatë shtatzënisë, në kombinim me marrjen e acidit folik, vitaminë e rëndësishme për zhvillimin e trurit dhe shtyllës kurrizore të fetusit.
Megjithatë, komuniteti mjekësor ka reaguar me skepticizëm. Shefi i Kolegjit Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve deklaroi se “studimet e deritanishme nuk kanë treguar prova të qarta që acetaminofeni lidhet me autizmin”. Edhe kompania Kenvue, prodhuesi i Tylenolit, theksoi në një deklaratë se “acetaminofeni është ilaçi më i sigurt kundër dhimbjes për gratë shtatzëna, kur përdoret sipas udhëzimeve, gjatë gjithë shtatzënisë”. Sipas kompanisë, heqja dorë nga ky medikament mund t’i detyrojë gratë shtatzëna të zgjedhin alternativa më të rrezikshme ose të durojnë simptoma si ethet, që mund të jenë të dëmshme si për nënën ashtu edhe për foshnjën.
Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., ka shprehur më parë mbështetje për teori të diskredituara që lidhnin vaksinat me autizmin. Ai pati premtuar në prill se agjencia e tij do të paraqiste këtë muaj të dhëna mbi shkaqet e autizmit.
Ekspertët e shëndetit publik nënvizojnë se aktualisht nuk ekzistojnë prova shkencore që konfirmojnë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes përdorimit të Tylenolit gjatë shtatzënisë dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit. Ata këshillojnë që gratë shtatzëna të konsultohen me mjekët para se të marrin çdo ilaç dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare të shëndetit.
