Trump nënshkruan projektligjin që i jep fund mbylljes së qeverisë
Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një projektligj shpenzimesh për të rihapur qeverinë dhe për t’i dhënë fund mbylljes më të gjatë në historinë e SHBA-së. Ai e ka nënshkruar projektligjin afatshkurtër duke e kthyer në ligj vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë me 222 vota për dhe 209 kundër, duke […]
Presidenti amerikan, Donald Trump ka nënshkruar një projektligj shpenzimesh për të rihapur qeverinë dhe për t’i dhënë fund mbylljes më të gjatë në historinë e SHBA-së.
Ai e ka nënshkruar projektligjin afatshkurtër duke e kthyer në ligj vetëm disa orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi atë me 222 vota për dhe 209 kundër, duke e miratuar atë të mërkurën në mbrëmje, dhe dy ditë pasi Senati miratoi ngushtë të njëjtin projektligj.
Duke folur në Zyrën Ovale, Trump ka thënë se qeveria tani do të “rifillojë operacionet normale” pasi “njerëzit u lënduan kaq keq” nga mbyllja 43-ditore.
Shumë shërbime qeveritare janë pezulluar që nga tetori, dhe rreth 1.4 milion punonjës federalë kanë qenë në pushim të papaguar ose kanë punuar pa pagesë. Ndihma ushqimore është lënë gjithashtu në harresë dhe udhëtimi ajror ka pasur ndërprerje në të gjithë vendin.
Shërbimet qeveritare pritet të rihapen në ditët në vijim, ndërsa ndërprerjet në udhëtimin ajror ka të ngjarë të lehtësohen përpara festës së Falënderimeve që po afron. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) kishte zvogëluar trafikun ajror për shkak të mungesës së stafit si pasojë e mbylljes së Qeverisë.
Kjo pati ndikime të drejtpërdrejta edhe tek anëtarët e Kongresit që përpiqeshin të arrinin në kryeqytetin e vendit të mërkurën për votimin në Dhomën e Përfaqësuesve.
Derrick Van Orden, një republikan nga Uiskonsini, raportohet se ka udhëtuar me motorin e tij për 1,609 km në të gjithë vendin për të hedhur votën e tij në Dhomën e Përfaqësuesve përpara se ajo t’i dërgohej tavolinës së presidentit.
Projektligji siguron fonde për ta mbajtur qeverinë të hapur vetëm deri më 30 janar, kur ligjvënësit do të duhet të gjejnë përsëri një mënyrë për të financuar qeverinë.
Para se ta nënshkruante atë si ligj, Trumpisërish fajësoi Partinë Demokratike për mbylljen e qeverisë.
“Ata e bënë këtë thjesht për arsye politike”, ka thënë ai.
“Kur të arrijmë te zgjedhjet e mesit të mandatit dhe gjëra të tjera, mos harroni se çfarë i kanë bërë vendit tonë”, ka shtuar Trump.