Trump: Sot afati i fundit për negociata me Iranin, armëpushimi nuk shtyhet

Ka filluar numërimi mbrapsht për arritjen e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, teksa armëpushimi po i afrohet fundit. Donald Trump e bëri të qartë se Uashingtoni nuk do ta vazhdojë armëpushimin që merr fund të mërkurën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk duan një marrëveshje të keqe, ndërsa ripërsëriti kërcënimin […]

Prill 21, 2026 - 12:30
Trump: Sot afati i fundit për negociata me Iranin, armëpushimi nuk shtyhet

Ka filluar numërimi mbrapsht për arritjen e një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, teksa armëpushimi po i afrohet fundit.

Donald Trump e bëri të qartë se Uashingtoni nuk do ta vazhdojë armëpushimin që merr fund të mërkurën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk duan një marrëveshje të keqe, ndërsa ripërsëriti kërcënimin e tij për bombardim të termocentraleve dhe objekteve energjetike brenda Iranit në rast se nuk do të ketë marrëveshje.

Mediat amerikane raportojnë se amerikanët janë të përgatitur për negociata dhe Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance do të jetë në Pakistan për një raund të dytë bisedimesh me Iranin. Megjithatë, Teherani ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen, duke thënë se po e rishqyrton tërheqjen e tij, pasi më parë ka refuzuar bisedimet.

Në përgjigjen e tij ndaj Trump, kryenegociatori i Iranit dhe kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf tha se Teherani ka karta të reja në fushën e betejës. Ai theksoi se Irani nuk do të pranojë negociata nën hijen e kërcënimeve.

Këto zhvillime vijnë teksa ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, si nga Irani ashtu edhe nga Shtetet e Bashkuara me bllokadën e tyre, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Donald Trump ka këmbëngulur se Shtetet e Bashkuara kanë epërsi në negociata, megjithatë është e qartë se arritja e një marrëveshjeje do të jetë e vështirë.

Marrëveshja e fundit bërthamore me Iranin e vitit 2015 u deshën muaj të arrihej dhe të ulur në tryezë ishin pesë anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.