Vjedhje në një kazino në Butel, procedurë hetimore ndaj tre të dyshuarve
Në një procedurë parahetimore, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, janë siguruar prova që tregojnë dyshim të bazuar kundër tre personave si kryerës të veprës penale – Vjedhje e Rëndë sipas nenit 236, paragrafi 1, pika 2 e Kodit Penal, e kryer më 11 prill në një kazino në Butel. Prokurori publik ka […]

Në një procedurë parahetimore, me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, janë siguruar prova që tregojnë dyshim të bazuar kundër tre personave si kryerës të veprës penale – Vjedhje e Rëndë sipas nenit 236, paragrafi 1, pika 2 e Kodit Penal, e kryer më 11 prill në një kazino në Butel. Prokurori publik ka nisur hetim, pasi ekziston dyshimi se të tre janë bashkuar për të kryer një vjedhje dhe kanë marrë 1.460.856 denarë nga kazinoja.
Një ditë më parë, të dyshuarit – dy vëllezër të moshës 20 dhe 22 vjeç, si dhe një punonjës 29-vjeçar i kazinosë, ishin ulur në një bar-kafe dhe ranë dakord se si ta kryenin vjedhjen.
“Sipas marrëveshjes, në ditën kritike, punonjësi i dyshuar i kazinosë u dha atyre sinjal se kur ishte koha e duhur për të kryer vjedhjen. Vëllezërit mbërritën me makinë përpara kazinosë, ku njëri mbeti në automjet, ndërsa tjetri, i maskuar, hyri me forcë në objekt, u drejtua drejt arkës dhe fillimisht i drejtoi armën punonjësit – të dyshuarit – sikur ta kërcënonte. Pastaj e la armën në banak dhe së bashku e mbushën çantën me para në dorë nga xhiroja totale e ditës së kaluar, me qëllim për t’i përvetësuar ato. Menjëherë pas kësaj, dy vëllezërit janë larguar nga vendi i ngjarjes”, sqaron Prokuroria.
Prokurori publik, duke vlerësuar të gjitha rrethanat dhe përmbushjen e bazave ligjore, i paraqiti propozim gjyqtarit të procedurës paraprake për përcaktimin e masave paraprake për dy të dyshuar të privuar nga liria. Propozohet ndalim për t’u larguar nga vendbanimi, detyrim për t’u paraqitur rregullisht te një zyrtar i caktuar në Gjykatë, marrje e përkohshme e dokumenteve të udhëtimit, ndalim për të vizituar kazinonë dhe ndalim për t’u afruar, për të vendosur ose mbajtur kontakt me të dyshuarit e tjerë. Për të dyshuarin e tretë që është në arrati, është propozuar masa e paraburgimit, e cila do të fillojë të zbatohet pasi të gjendet dhe të privohet nga liria.