VLEN nuk do kërkojë shkarkimin e Bogojeskit si drejtor në Agjencinë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane, Kasami: Nuk kemi ndonjë shqetësim (Video)
Koalicioni VLEN nuk do të kërkojë shkarkimin e Petar Bogojeskit nga pozita e drejtorit të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane. Ai edhe pse njihet si antishqiptar dhe shpërndarës i gjuhës së urrejtjes, kjo për VLEN-in nuk përbën shqetësim, shkruan Portalb.mk. Këtë për Portalb.mk e tha Bilall Kasami, njëri nga liderët e VLEN-it, kur u […]


Koalicioni VLEN nuk do të kërkojë shkarkimin e Petar Bogojeskit nga pozita e drejtorit të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane. Ai edhe pse njihet si antishqiptar dhe shpërndarës i gjuhës së urrejtjes, kjo për VLEN-in nuk përbën shqetësim, shkruan Portalb.mk.
Këtë për Portalb.mk e tha Bilall Kasami, njëri nga liderët e VLEN-it, kur u pyet nëse si koalicion do të kërkojnë shkarkimin e Bogojeskit nga ky pozicion, pasi është Qeveria e cila emëron anëtarët e Bordit Udhëheqës të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane, të cilët më pas zgjedhin drejtorin.
“Jo, ne nuk kemi ndonjë shqetësim sa i përket emërimit të tij. Nëse bëhet fjalë për një institucion që lidhet me fondet evropiane, ne e dimë që ka pasur më herët, është shkarkuar një drejtor për shkak të keqpërdorimit, urojmë që ai të jetë në kuadër të përgjegjësive që i ka marrë institucionale”, tha Bilall Kasami.
Ndryshe nga Kasami, ministri i Çështjeve Evropiane Orhan Murtezani sot ka deklaruar se kanë shqetësime, madje se të njëjtat i kanë diskutuar në qeveri.
“Ne si ministri nuk kemi kompetenca mbi atë Agjenci, as në emërimin e drejtorit. Procesi duhet të ishte më i kujdesshëm, por unë nuk jam kompetent. Shqetësimet i kemi diskutuar edhe në qeveri”, tha Murtezani.
Sipas Ligjit për Themelimin e Agjencisë Nacionale për Programe Evropiane dhe Mobilitet, konkretisht në nenin 12 thuhet:
“Kryetarin dhe anëtarët e Bordit Udhëheqës i emëron dhe shkarkon Qeveria e Republikës së Maqedonisë”.
Pra, edhe pse Qeveria ka përgjegjësi të kërkojë llogari nga anëtarët e Bordit në prononcim dje Qeveria u mundua të arsyetohet se nuk janë “përzier në këtë punë”, dhe se Bogojeskin e ka emëruar Bordi Udhëheqës i Agjencisë.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka kërkuar që të tërhiqet menjëherë ky vendim.
Ndërsa për Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës, Emërimi i Bogjoeskit është në kundërshtim të plotë me orientimin e deritanishëm europian të vendit dhe dëshmon se vendi po merr një kahje tjetër ndryshe nga ajo e ndërtuar me dekada dhe shumë mund.
Emërimi i Bogojeskit ka ngjallur reagime të ashpra në opinion dhe në organizatat e shoqërisë civile. Forumi për Ndryshime në Arsim tha se Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje i çoi mesazh studentëve shqiptar në këtë vend se në qoftë se synoni të shfrytëzoni programet e BE-së si Erasmus+, hiqni dorë, pasi për fatin tuaj do të duhet të vendosë një nacionalist i cili është i mbushur me urrejtje.
Nga Delegacioni i BE-së në vend ende nuk janë deklaruar për emërimin e Bogojeskit në krye të këtij institucioni.
Lideri i partisë së vogël “Koncepti Maqedonas” Petar Bogojeski së fundmi u zgjodh drejtor i Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet. Bogojeski në opinion njihet si shpërndarës i flaktë i gjuhës së urrejtjes dhe nacionalizmit, e cila është në kundërshtim me vlerat e BE-së.
Pavarësisht kësaj, ai u shpërblye me postin e drejtorit në krye të Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet. Qëndrimet e tij nuk përkojnë me qëllimet e institucionit ku ai është emëruar.
Në paraqitjet e tij publike ai shpesh ka përdorur nacionalizëm dhe gjuhë të urrejtjes, si ndaj shqiptarëve ashtu edhe ndaj komuniteteve tjera në vend si boshnjakët.