VLEN pa një qëndrim unik, njëri thotë një javë, tjetri tre muaj për çështjen e provimin të jurisprudencës

Me deklarata të ndryshme dhe kundërthënëse, VLEN-i po garanton që do të mundësojë dhënien e provimit e jursiprudencës në gjuhën shqipe. Pëderisa zyrtarët e VLEN-it, japin afate të ndryshme kohore për zgjidhjen e provimit të jurisprudencës, ...

maj 21, 2026 - 22:31
VLEN pa një qëndrim unik, njëri thotë një javë, tjetri tre muaj për çështjen e provimin të jurisprudencës

Me deklarata të ndryshme dhe kundërthënëse, VLEN-i po garanton që do të mundësojë dhënien e provimit e jursiprudencës në gjuhën shqipe. Pëderisa zyrtarët e VLEN-it, japin afate të ndryshme kohore për zgjidhjen e provimit të jurisprudencës, kryeministri i vendit nga ana tjetër, thotë se çështja e ligjit duhet të dërgohet në Komisionin e Venedikut, shkruan Portalb.mk.

Zëvendëskryeministri Bekim Sali, tha sot para gazetarëve se janë në përfundim e sipër të fazës së konsultimeve me ekspertë. Ndoshta, siç tha ai, edhe një javë mund të zgjasë deri në vendimin final të cilin do ta promovojnë në mënyrën e njëjtë, për arsye se që nga fillimi ka pasur vullnet të mirë politik që të zgjidhet ky problem.

“Por, nuk do të jetë vetëm jurisprudenca, do të jenë edhe shumë tema të tjera të cilat duam në pako t’i zgjidhim njëherë e përgjithmonë dhe mos të shkaktojmë, dhe mos të japim arsye që studentët tanë të kenë pakënaqësi ndaj funksionimit të institucioneve dhe trajtimit të tyre nga ana e institucioneve shtetërore”, deklaroi zëvendëskryeministri Sali.

Ndërkaq, bashkëkryetari i VLEN-it Izet Mexhiti për Euronews, tha se janë marrë vesh me kryeminsitrin e vendit, Hristijan Mickoski për gjuhën shqipe dhe çështja e provimit të jurisprudencës do të rregullohet për 3 muaj.

“Ashtu siç i kemi zgjidhur këto dikastere, do të vazhdojmë me provimin e jurisprudencës që është kërkesë e studentëve, por jo vetëm te jurisprudenca, ne kemi rënë dakord që ligji i gjuhëve të zbatohet edhe në fusha tjera ku ka të bëjë me provime profesionale apo me licenca që duhet të merren. Nuk kemi kërkuar jemi marrë vesh, jemi dakorduar, është deklaratë e përbashkët e kryeministrit dhe dy partnerëve qeverisës VMRO dhe VLEN. Le të jetë një afat tre mujor sepse ka procedurë duhet të bëhet propozim ndryshim të ligjit, duhet të kaloi në Qeveri duhet të kaloi në Parlament”, u shpreh bashkëkryetari i VLEN-it Mexhiti për Euronews.

Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski, ka deklaruar se zjgidhja ligjore e provimit të jurisprudencës duhet të dërgohet në Komisionin e Venediukut.

“Unë gjithmonë mbështes protestat, është një e drejtë demokratike dhe nuk kam asnjë dilemë këtu. Por sa i përket zgjidhjes së ligjit të jurisprudencës duhet të marrim mendimin e Komisionit të Venedikut”, tha Mickoski.

Kujtojmë se ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov aspak nuk përmend zgjidhje të çështjes duke komentuar protestën e studentëve.

“Provimi i jurisprudencës nuk është çështje politike, por çështje ekspertize, profesionalizmi dhe respekti për rendin juridik të shtetit. Përpjekjet për ta paraqitur detyrimin ligjor për të njohur gjuhën maqedonase si diskriminim janë manipulim i rrezikshëm i publikut dhe një goditje e drejtpërdrejtë ndaj rendit kushtetues. Gjuha maqedonase është gjuha zyrtare në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe themeli i sistemit institucional dhe ligjor. Është e papranueshme që temat e ndjeshme që ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin juridik të përdoren për të fituar pikë politike ose për të krijuar tensione ndëretnike”, thuhet në reagim të ministrisë.

Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan me pankarta në duar dhe brohoritje për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Kjo është hera e dytë që studentët protestuan.

Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.