VLEN: Taravari mbrëmë u vetë-përjashtua nga koalicioni, vazhdojmë të jemi pjesë e Qeverisë

Koalicioni VLEN konstatoi se Taravari, me vendimin për të shkuar me lista më vete në zgjedhjet lokale, u vetë-përjashtua nga koalicioni. Izet Mexhiti tha se nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit që partitë brenda një koalicioni të shkojnë me lista këshilltarësh më vete. Kjo, shtoi ai, dëmton votën shqiptare, duke e ndarë tashmë […]

Prill 16, 2025 - 20:00
 0  5
VLEN: Taravari mbrëmë u vetë-përjashtua nga koalicioni, vazhdojmë të jemi pjesë e Qeverisë
Liderët e VLEN-it, Zeqirija Ibrahimi, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami. Foto printscreen

Koalicioni VLEN konstatoi se Taravari, me vendimin për të shkuar me lista më vete në zgjedhjet lokale, u vetë-përjashtua nga koalicioni. Izet Mexhiti tha se nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit që partitë brenda një koalicioni të shkojnë me lista këshilltarësh më vete. Kjo, shtoi ai, dëmton votën shqiptare, duke e ndarë tashmë tre tabore, në vend se në dy, transmeton Portalb.mk.

“Tashmë nuk është e fshehtë, koalicioni VLEN e ka vënë re qysh më parë, se ka negociata ndërmjet zotit Taravari me zotin Ahmeti. Këto janë bisedime që janë zhvilluar tashnë disa muaj, qysh përpara se Taravari të publikonte vendimin e tij, në kundërshtim me pjesën tjetër të partnerëve të VLEN-it, për mënyrën e garimit në zgjedhje. Është e qartë se këto negociata kanë pasur për qëllim përçarjen e koalicionit VLEN dhe rikthimin nga vdekja klinike të BDI-së. Cili ishte çmimi i këtij operacioni dhe a ja vlejti, kjo do të merret vesh shumë shpejt. Sidoqoftë, koalicioni i ndryshimit VLEN, vlerëson se e vendimi i mbrëmshëm i Taravarit, pasi që ishin konsumuar krejt argumentet dhe ofertat për të mbajtur ata në garën e përbashkët zgjedhore është pa mbështetjen e votuesve të sinqertë të ASh-së, por as të funksionarëve partiak, të cilët para më pak se një viti e mbështetën vendimin e drejtë të ASH-së për tu shkëputur nga partia e listës së zezë që tashmë po fundoset e merr me vete edhe shumë viktima”, tha Mexhiti.

Ai shtoi se praktikën që e ka shpallur Taravari nuk ekziston askund.

“Taravari mbrëmë deklaroi të shkojë me lista të veçanta. Këtë praktikë nuk e njeh historia e Maqedonisë prej viteve 90 e deri më sot. Nuk ka asnjë koalicion në këto 30 vite që ka dalë me lista të ndara gjatë zgjedhjeve lokale ose zgjedhjeve tjera, sepse ajo përveç që e dobëson koalicionin VLEN dhe fut përçarje, në të njëjtën kohë paraqet defaktorizim dhe përçarje të votës shqiptare. Me vetë faktin që deklaron se ka sjellë vendim të njëanshëm, ai u largua, dëshmoi që është në koalicion me BDI, por dëshiron ta luaj rolin e viktimës. Ne sot vetëm konstatojmë vetë-përjashtimin e tij nga VLEN-i”, tha Mexhiti.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, në emisionin “Dialog te Lajmi”, ka komentuar këtë takim, duke thënë se fakti që ASH-ja nuk është ftuar në këtë takim, është përjashtues.

“Vetë fakti që Aleanca për Shqiptarët nuk u thirr sot në takim në ora 14:00 është përjashtues. Do të ishte mirë që të thirret së paku, të jemi aty dhe t’i themi argumentet tona të cilat i kemi thënë edhe publikisht. Më brengosi ajo që aspak nuk u ftua ASH-ja në takim dhe kjo është një shenjë mosdurimi, përjashtimi. Kështu janë sinjalet. Por, them politika është kjo. Vazhdon çdo kush në rrugë të vetë dhe me strategjinë që e ka për zgjedhjet lokale”, tha Taravari në emisionin “Dialog te Lajmi” që transmetohet sonte ora 19:00.

Ndryshe në mbledhjen e mbrëmshme të kryesisë qendrore të Aleancës për Shqiptarët kanë diskutuar për zgjedhjet lokale. Në mbledhje u vendos që në zgjedhjet lokale, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit të dalë me lista të veçanta për kandidatët për këshilltarë komunalë, ndërsa për kandidatët për kryetarë komune janë të hapur për bashkëpunim me të gjitha partitë.

Kreu i ASh-së bëri të ditur se megjithatë janë pjesë e VLEN-it.

“Ne jemi pjesë e VLEN-it, por e shohim si zhvillohen ngjarjet dhe ne bazë të saj sjellim vendimet. Tash për tash në listat për këshilltarë ne shkojmë vetëm”, tha Taravari. 

Ai shtoi se janë të hapur për bashkëpunim të ndërsjellë edhe me partitë tjera për kryetar komune.

“Pash unitet të paparë në këtë mbledhje të kryesi qendrore. ASH u mundua të imponojë mjet për zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë komune – që janë anketat, por kjo u refuzua. Ultimatumet nuk i duam. Afati ishte që të vendosim deri sot. ASH vendosi që në të gjitha komunat ku garojnë shqiptarët do të del me lista të veçanta për këshilltarë komunal. Jemi të hapur për bashkëpunim me partitë tjera për kandidatë për kryetarë komune. Nga muaji maj kemi filluar me konsolidimin e degëve dhe nëndegëve”, tha Taravari.

Ai nuk e përjashtoi bashkëpunimin as me BDI-në, ndërsa në lidhje me këtë tha se “do të shohim si do të ecin punët dhe do të vendosim edhe për kandidatët për kryetarë të komunave”.

“Jemi ende pjesë e VLEN-it, nëse ata vendosin ndryshe, ne normalisht do të sjellim vendimin tonë. Për kandidatët për kryetarë komune do të shohim si do të ecin punët dhe do të vendosim”, tha Taravari.

Në pyetjen se a kanë diskutuar edhe çështjen nëse mundohen t’i nxjerrin nga Qeveria, Taravari tha se për këtë vendosë Kryeministri

“Aty vendos kryeministri. Ai që e formon qeverinë është kryeministri, nëse vendos nuk kemi asnjë problem, por në parim me kryeministrin tash për tash kemi raporte të shkëlqyera”, tha kryetari i ASH-së, Arben Taravari.

Kujtojmë se, Taravari në një intervistë për 360 Gradë të transmetuar më 31 mars, ka bërë kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Ai tha se, koalicioni ka shumë mangësi dhe mospërputhjet e koalicionit shihen nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë. Kjo ka nxitur përplasje publike të liderëve të tjerë të VLEN-it me Taravarin, që kanë vazhduar që nga kjo intervistë.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje.

VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së. Mosmarrëveshjet në VLEN kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, përkatësisht rreth ndarjes së komunave.