Zëvendëskryeministri Fetai raportoi një kërcënim që mori në e-mail: Nuk mund të qëndroj indiferent

Përmes rrjeteve sociale, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka raportuar “një kërcënim me jetë” që ka pranuar dje në orët e vona në adresën zyrtare, transmeton Portalb.mk. “Emaili titullohet “PLUMB NË KOKË PËR TY SHIPO FETAI” dhe përmban këtë mesazh: “20 përqindëshi nuk do të ndryshohet, por gjithçka shiptare do t’ju […]

Nëntor 7, 2024 - 23:00
 0  5
Zëvendëskryeministri Fetai raportoi një kërcënim që mori në e-mail: Nuk mund të qëndroj indiferent
Ministrat shqiptarë në Qeverinë e RMV-së. Izet Mexhiti, Arben Taravari, Orhan Murtezani, Fatmir Limani, Arben Fetai dhe Besar Durmishi. Foto nga profili i Izet Mexhitit në Facebook

Përmes rrjeteve sociale, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka raportuar “një kërcënim me jetë” që ka pranuar dje në orët e vona në adresën zyrtare, transmeton Portalb.mk.

“Emaili titullohet “PLUMB NË KOKË PËR TY SHIPO FETAI” dhe përmban këtë mesazh: “20 përqindëshi nuk do të ndryshohet, por gjithçka shiptare do t’ju vrasim me plumb në kokë. Të ngordhni, shiptar i vdekur, shiptar i mirë; vdekje për shiptarët.” Nuk mund të qëndroj indiferent ndaj këtij kërcënimi”, deklaroi Fetai

Ai sqaroi që ishte në Bruksel kur i pranoi kërcënimet, duke vlerësuar se ky kërcënim erdhi pas deklaratës së djeshme për mënjanimin e përkufizimit “20 për qind” për gjuhën shqipe.

“Njoftoj kërcënuesin dhe opinionin se e kam informuar personalisht Ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, duke kërkuar veprim dhe rritje të masave të sigurisë rreth personit tim. Padia është në përgatitje, pasi kërcënuesit dhe ekstremistët duhet të marrin përgjigjen e merituar: dënim me burg sipas ligjeve në fuqi”, deklaroi Fetai.

Zëvendëskryeministri theksoi se gjuha shqipe kërcënon asgjë dhe askënd.

Ndryshe, shtatë vjet pas miratimit të ligjit të gjuhëve në atmosferë të tensionuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, me protesta dhe tentativa të panumërta të ish-presidentit Gjorgе Ivanov për ta bllokuar atë, në Gjykatën Kushtetuese në dhjetor do të vendoset shfuqizimi i plotë ose i pjesshëm i këtij ligji. Problemi nuk qëndron te ligjet që janë burim i marrëveshjes së Ohrit, por te “dështimi i politikës që 20 vitet e fundit nuk arriti t’i bëjnë këto ligje imune ndaj mendjeve shoviniste nën petkun e politikanit apo gjykatësit”, thanë ekspertët juridik për Portalb.mk.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve, në procedurë kuvendore ka hyrë më 5 shtator të vitit 2017-të, ndërkaq në fuqi ka hyrë në janar të vitit 2019-të. Seanca për vlerësimin e kushtetuetshmërisë të këtij ligji fillimisht ishte caktuar për me 5 tetor por për shkak të ndjeshmërisë së situatës, u shty për më 11 dhjetor.