Zjarri që nuk u shua asnjëherë: Tetova nuk harron viktimat e spitalit modular, Iniciativa Zero kërkon përgjegjësi

Për çdo ditë në dy javët e fundit, Iniciativa Zero ka ngjitur para Gjykatës dhe Prokurorisë së Tetovës mbishkrime me emrat e viktimave të zjarrit në spitalin modular, duke kërkuar drejtësi për të njëjtat, shkruan Portalb.mk.  Ky aksion i nismës u zhvillua për 14 ditë me radhë, ndërsa mbishkrimet e ngjitura u largonin brenda pak […]

maj 7, 2025 - 19:00
 0  4
Zjarri që nuk u shua asnjëherë: Tetova nuk harron viktimat e spitalit modular, Iniciativa Zero kërkon përgjegjësi
Mbishkrimet me emrat e viktimave të zjarrit në spitalin modular të ngjitura para Gjykatës dhe Prokurorisë së Tetovës. Kolazh: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (fotot nga Iniciativa Zero)

Për çdo ditë në dy javët e fundit, Iniciativa Zero ka ngjitur para Gjykatës dhe Prokurorisë së Tetovës mbishkrime me emrat e viktimave të zjarrit në spitalin modular, duke kërkuar drejtësi për të njëjtat, shkruan Portalb.mk

Ky aksion i nismës u zhvillua për 14 ditë me radhë, ndërsa mbishkrimet e ngjitura u largonin brenda pak minutave apo orëve. 

Ja se çfarë thuhej në secilin mbishkrim që kërkonte drejtësi për secilën viktimë nga zjarri tragjik: 

  1. 1323 ditë më parë, zjarri në Spitalin Modular në Tetovë mori jetën e Selvije Idrizit. Deri sot ZERO përgjegjësi. 
  2. Dita 1324. Ahteme Ismaili nuk do të kthehet. Por drejtësia nuk guxon të mungojë
  3. 1325 ditë që shteti hesht. Kujtimi për Xhemail Bilallin jeton çdo ditë. 
  4. 1326 ditë. ZERO drejtësi, ZERO përgjegjësi për Ferdi Shaqirin. 
  5. 1327 ditë, ZERO drejtësi për Mukadesa Alijaj. Sistemi hesht. Ne nuk harrojmë. 
  6. Nuk duam justifikime. Kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi për Nebije Terzijaj. 1328 ditë pa të. 
  7. 1329 ditë duke kërkuar të vërtetën për Hasija Shehabin. Asgjë më shumë, asgjë më pak. 
  8. Haki Emshi nuk do të kthehet, por fajtorët e vërtetë duhen ndëshkuar. 1330 ditë. 
  9. 1331 ditë dhe askush s’mbajti përgjegjësi për vdekjen e Rasim Emshit. 
  10. Armina Shehabi nuk vdiq nga zjarri, por nga një sistemi kalbur. 1332 ditë pa drejtësi. 
  11. 1333 ditë. Shteti i heshtur. Familjet e thyera. Drejtësia mungon për Zarife Bilali. 
  12. Nazlisha Ademi nuk është vetëm një emër. Është një kujtim që kërkon drejtësi. 1334 ditë. 
  13. 1335 ditë. Asnjë raport i sinqertë. Asnjë aktygjykim i drejtë. Asgjë për Remzi Ajrulai. 
  14. 1336 ditë më vonë, e vetmja gjë që kemi marrë është heshtja. Ende nuk ka drejtësi për Raif Slemanin.

Nga Iniciativa Zero kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë edhe në vijim me aktivitetet e tyre për të kërkuar drejtësi për viktimat e kësaj tragjedie. 

Me 8 shtator 2021 në spitalin modular të Tetovës ku trajtoheshin pacientët me Kovid-19 ra një zjarr i tmerrshëm i cili mori me vete 14 jetë të pacientëve, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. 

Shkaku i zjarrit i atribuohet kabllos së djegur ku shkëndija bëri që zjarri të përhapet dhe brenda pak minutash i gjithë spitali mori flakë.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë”, të cilin IRL e publikoi në gusht 2023 tregon për një sërë lëshimesh gjatë ndërtimit të spitalit modular që sollën deri tek shpërthimi i zjarrit, edhe pse autoritetet u përpoqën ta përshkruajnë atë si një aksident të shkaktuar nga një lidhje e shkurtër e kabllos vazhduese. Lëshime u konstatuan edhe në specifikimin teknik, në ndërtim, por edhe më pas në hetim. Në vend se si ndërtim, spitali është evidentuar si pajisje urbane, për të cilën nuk ka nevojë të respektohet ligji për ndërtim.

Në lidhje me zjarrin në modular pati një proces të gjatë gjyqësor me disa seanca, megjithatë askush nuk u thirr në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale. 

Prokuroria ngriti aktakuzë për shkak se nuk ka pasur aparate për shuarjen e zjarrit, por jo edhe për shkaqet e zjarrit. 

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës dhe ish drejtori ekonomik sepse në spitalin modular nuk ka pasur aparate për fikjen e zjarrit, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit u lirua nga akuza, sepse në spitalin për Kovid-19 kishte futur njerëz nga jashtë.. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh. 

Megjithatë, Gjykata e Apelit të Gostivarit e ktheu një pjesë të lëndës në rigjykim në Gjykatën e Tetovës, kundër dy ish drejtorëve të spitalit të Tetovës. Fjalët përfundimtare për këtë rast pritet të thuhen më 12 maj.

 Në ndërkohë, Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit po zhvillon një hetim tjetër për këtë rast, i cili është në procedurë para hetimore.