Qeveria e Maqedonisë së Veriut po “gatuan” shportë konsumatore, pushimet jashtë vendit “luks”

Shporta mesatare e konsumatorit e cila synon mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut pritet të prezantohet javën e ardhshme, ndërsa se deri në fund të këtij muaji do të prezantohet edhe në Këshillin Ekonomiko-Social, transmeton Portalb.mk. Kështu ka bërë të ditur zëvendës-ministri i Ekonomisë, Marijan Risteski.  “Shporta jonë mesatare e konsumit […]

Prill 11, 2025 - 21:00
 0  6
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po “gatuan” shportë konsumatore, pushimet jashtë vendit “luks”
Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shporta mesatare e konsumatorit e cila synon mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve në Maqedoninë e Veriut pritet të prezantohet javën e ardhshme, ndërsa se deri në fund të këtij muaji do të prezantohet edhe në Këshillin Ekonomiko-Social, transmeton Portalb.mk.

Kështu ka bërë të ditur zëvendës-ministri i Ekonomisë, Marijan Risteski. 

“Shporta jonë mesatare e konsumit sigurisht që nuk do t’i përfshijë në përllogaritje mallrat e akcizës, siç janë alkooli, cigaret, pushimet jashtë vendit e kështu me radhë. Sepse këto i konsiderojmë si luks, po ashtu edhe frutat që nuk janë karakteristike për një sezon të caktuar të vitit – gjithçka do të bazohet në të dhëna relevante për çmimet e produkteve përkatëse që përdoren në sezon”, tha Risteski 

Nënkryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Ivan Peshevski, ka thënë se në shportë janë produktet më bazike për jetesë, larg asaj që të ketë pushim jashtë shtetit.

“Por përllogaritja për tërë vitin tregon se një punëtor duhet të provojë edhe pjepër, edhe qershi, edhe shalqi, dhe gjithçka që ofron klima jonë. Aty nuk kemi as asparag, as mango, as papaja, as ndonjë pemë apo perime ekskluzive“, tha Peshevski. 

Shporta e re mesatare, edhe pse ishte parashikuar të përgatitej nga sindikatat së bashku me autoritetet, megjithatë është duke u përgatitur vetëm nga Ministria e Ekonomisë, Bujqësisë, Financave, Inspektorati Shtetëror i Tregut, me ndihmën e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Kujtojmë që më 20 shkurt 2025 hyri në fuqi vendimi i qeverisë për ngrirjen e marzheve në 102 grupe produktesh, pra mbi 1000 produkte me pakicë dhe shumicë.

Në muajin shkurt të këtij viti shporta minimale arriti në 63.773 denarë, u rrit për mbi 500 denarë nga janari.