Mbledhja e VLEN-it, Qoku: Taravari mbetet në koalicion

Liderët e koalicionit VLEN kanë mbajtur sonte një takim, ku është diskutuar mbi gjendjen e koalicionit dhe zgjedhjet e ardhshme lokale. Pas takimit, njëri nga liderët e VLEN-it, Bekim Qoku, tha se Arben Taravari mbetet pjesë e VLEN-it dhe koalicioni, vazhdon si subjekt i përbashkët dhe mbetet vetëm të diskutohen detajet rreth ndarjes së komunave […]

Prill 12, 2025 - 13:00
 0  8
Mbledhja e VLEN-it, Qoku: Taravari mbetet në koalicion
Koalicioni VLEN, foto nga Faton Curri, Portalb.mk

Liderët e koalicionit VLEN kanë mbajtur sonte një takim, ku është diskutuar mbi gjendjen e koalicionit dhe zgjedhjet e ardhshme lokale. Pas takimit, njëri nga liderët e VLEN-it, Bekim Qoku, tha se Arben Taravari mbetet pjesë e VLEN-it dhe koalicioni, vazhdon si subjekt i përbashkët dhe mbetet vetëm të diskutohen detajet rreth ndarjes së komunave për kandidaturat në zgjedhjet lokale, shkruan Portalb.mk.

Edhe përkundër përplasjeve që kanë ndodhur publikisht përmes deklaratave të ndryshme të dhëna nga liderët e VLEN-it, Qoku mohoi se ka pasur mosmarrëveshje mes tyre.

“Ne nuk kemi pasur mosmarrëveshje, kemi pasur, si të them, mendime të ndryshme, ku në çdo subjekt politik ndodhin edhe në partitë individuale të vetme ndodhin, ku dikush pretendon se një kandidat mund të ketë sukses më shumë në një komunë, një kandidat tjetër më shumë. Kështu që, unë më shumë besoj se janë biseda jashtë pulisave që bëhet, përndryshe ne qëndrojmë kompakt, qëndrojmë stoik dhe ne qëndrojmë të bashkuar”, tha Qoku.

I pyetur nëse Taravari do të dalë me lista të veçanta në zgjedhjet lokale, Qoku u përgjigj:

“Besoj jo, ne ende po diskutojmë këto detaje, por VLEN-i mendoj se duhet të shkojë bashkë edhe me lista edhe me kandidat të përbashkët”, tha ai.

Para fillimit të takimit, në një deklaratë të shkurtër për media, Taravari tha se bëhet fjalë për një takim i rregullt. I pyetur nëse do të mbetet në koalicion, ai tha:

“Shpresoj se po, ne jemi bashkë”, tha Taravari.

Kujtojmë se,  Taravari në një intervistë për 360 Gradë të transmetuar më 31 mars, ka bërë  kritikë publike për funksionimin e partive shqiptare në Qeveri. Ai tha se, koalicioni ka shumë mangësi dhe mospërputhjet e koalicionit shihen nga 100 kilometra larg, se po punojmë shumë ngadalë. Kjo ka nxitur përplasje publike të liderëve të tjerë të VLEN-it me Taravarin, që kanë vazhduar që nga kjo intervistë.

Koalicionin VLEN e përbëjnë Lidhja Demokratike, Alternativa, Lëvizja BESA, ASH e udhëhequr nga Arben Taravari, dhe Lëvizja Vetëvendosje. VLEN është partner koalicioni i VMRO-DPMNE dhe ZNAM, me të cilët qeverisin me pushtetin aktual. VLEN-i ishte bashkuar për ta rrëzuar qeverisjen mbi dy dekadëshe të BDI-së. Mosmarrëveshjet në VLEN kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, përkatësisht rreth ndarjes së komunave.