100 ditë qeveri në RMV: Janë pak për të bërë vlerësim, por të mjaftueshme për të parë drejtimin
U zgjodh më 23 qershor, ndërsa sot më 1 tetor shënon 100 ditë. Kryeministri Hristijan Mickoski që në ditën e parë të punës paralajmëroi “fillim të furishëm” të Qeverisë së re – investime të reja, ndihmë financiare për kompanitë dhe komunat, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillim të ekonomisë, zhvillim të balancuar rajonal, ulje të […]
U zgjodh më 23 qershor, ndërsa sot më 1 tetor shënon 100 ditë. Kryeministri Hristijan Mickoski që në ditën e parë të punës paralajmëroi “fillim të furishëm” të Qeverisë së re – investime të reja, ndihmë financiare për kompanitë dhe komunat, luftë kundër krimit dhe korrupsionit, zhvillim të ekonomisë, zhvillim të balancuar rajonal, ulje të tatimeve, rritje të pensioneve dhe pagave, shkruan Dojçe Vele, transmeton Portalb.mk.
Sot, nën sloganin “100% të përkushtuar” Për ty”, kryeministri do të japë llogari për punën e bërë nga dita e parë e deri më sot – projektet dhe masat që janë realizuar në këto 100 ditë nga kabineti i tij me 23 ministra, pesë nga të cilët janë edhe zëvendëskryeministra.
A janë njëqind ditë një periudhë e mjaftueshme për t’i vlerësuar efektet e para të punës së Qeverisë?
“Njëqind ditë janë një periudhë e shkurtër për të bërë një vlerësim të duhur të një qeverie”, thotë analisti Xhelal Neziri.
Sipas tij, kjo periudhë është më shumë simbolike, respektimi i vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhje të menjëhershme, dhënia e mundësisë që një garniturë e re të përshtatet me rolin e ri të zbatuesit të programit të premtuar, por edhe me ligjet, vendimet dhe Kushtetutës. Por, sipas tij, në 100 ditët e para mund të lexohen planet, qëllimet, udhëzimet e Qeverisë dhe kapacitetet e saj për t’i zbatuar ato.
Të gjendet një mënyrë për dalje
Neziri vlerëson se Qeveria gjatë kësaj periudhe ka qenë pamjaftueshëm e koordinuar, pamjaftueshëm strategjike dhe pamjaftueshëm e guximshme.
“Nuk ka pasur koordinim mes partnerëve qeveritar për masat që i tangojnë marrëdhëniet ndëretnike, nuk ka pasur pozicionim strategjik në marrëdhëniet me fqinjët dhe nuk ka pasur guxim të mjaftueshëm për luftë reale kundër korrupsionit. Njëqind ditët e para janë një periudhë e shkurtër, por mund të jenë vendimtare për vendime radikale”, vlerëson ai.
Nën sloganin “100% të përkushtuar!” Për ty”, kryeministri do të japë llogari për punën e bërë nga dita e parë e deri më sot.
Fillimisht ai beson se është dashur të gjendet një mënyrë për t’i miratuar amendamentet kushtetuese dhe që vendi së bashku me Shqipërinë të hapnin kapitujt e parë në bisedimet për anëtarësimin në BE.
“Do të kishim qasje në fonde të mëdha që do të kishin një impakt të fuqishëm në zbatimin e reformave, të cilat janë një parakusht për zhvillim gjithpërfshirës. Kapitulli ‘Themelet’ është burimi i të gjitha problemeve tona, është ajo spiranca që nuk na lë të ecim përpara në cilën do fushë. Me para dhe njohuri evropiane, por edhe me presion, ne për një kohë të shkurtër mund të kemi një gjyqësor, administratë, shtet funksional – që do të thotë një luftë reale kundër korrupsionit, si problemi më i madh në shtet. Kjo është shtylla e parë e programit të qeverisë, pa të cilën nuk do të realizohen dy angazhimet e tjera të kësaj garniture. Kjo do të thotë se pa këtë proces të bisedimeve, shteti nuk ka pasur dhe as do të ketë kapacitet që të arrijë zhvillim real ekonomik dhe luftë efektive kundër korrupsionit”, thotë Neziri.
Pastaj, sipas Nezirit, është dashur të realizohet premtimi për uljen e tatimeve për biznesin që të bëhet një stimulim i sektorit privat, por edhe të bëhen reforma të tjera tatimore. Dhe në fund – të fillojë procedura kundër funkcionerëve të korruptuar, duke pasur parasysh se struktura aktuale pothuajse çdo javë ka publikuar skandale korruptive për të cilat ka pretenduar se disponon prova.
Si na shohin nga jashtë?
“Përballja me korrupsionin është një nga sfidat më të mëdha në Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera kandidate në rajon, por pushteti ekzekutiv i BE-së ka mekanizma të qëndrueshëm për ta mbrojtur financimin e tij”, ka thënë për Euronews një përfaqësues i BE-së, i cili ka kërkuar të mbetet anonim.
“Korrupsioni është i pranishëm. Por ne kemi një politikë të tolerancës zero për korrupsionin dhe korniza shumë rigoroze në fuqi. Nëse kjo ndodh, mekanizmat tanë hyjnë në fuqi”, theksoi përfaqësuesi i BE-së.
Përballja me korrupsionin është një nga sfidat më të mëdha në rrugën drejt BE-së.
Beteja me korrupsionin është një nga sfidat kryesore në planin për përshpejtimin e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor, për një sërë temash në mesin e të cilave edhe sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit. Me Planin e rritjes në tre vitet e ardhshme BE-ja duhet të injektojë 6 miliardë euro të destinuara për vendet e Ballkanit Perëndimor (2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi preferenciale) për t’i ndihmuar ata që t’i përshpejtojnë reformat. Nëse një vend nuk arrin t’i realizojë qëllimet e tij për reformat, fondet e planifikuara për të do të rialokohen në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, që do të thotë se modeli është dizajnuar në mënyrë që të krijojë “konkurrencë” midis fqinjëve dhe me këtë të nxisë edhe reforma më të shpejta.
“Për fat të mirë, Qeveria e re në Maqedoninë e Veriut me të vërtetë u përfshi në procesin e anëtarësimit në BE, siç bëri edhe qeveria e mëparshme. Kur qeveria e re dha betimin e saj nuk pati devijime të mëdha nga programi për reforma të dakorduar nga qeveria e mëparshme”, ka thënë një burim diplomatik për “Euronews”.
Por ai ka theksuar se do të duhet të presim për të parë nëse ato reforma do të zbatohen realisht.
“Por edhe sikur Shkupi t’i realizojë me sukses të gjitha qëllimet dhe t’i shfrytëzojë përfitimet e Planit të rritjes, ai mund të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE vetëm nëse vazhdon t’i përmirësojë marrëdhëniet me Bullgarinë fqinje. Kjo do të jetë një sfidë, sepse deputetët në Sofje dhe Shkup vazhdojnë të shkëmbejnë retorikë luftarake. Ndërsa çdo shtet anëtar duhet të japë shprehimisht dritë jeshile për hapjen e çdo hapi në procesin e anëtarësimit në BE”, rikujtojnë nga “Euronews”.
Çfarë “jetëgjatësi” do të ketë koalicioni aktual qeveritar?
Tani para Qeverisë qëndrojnë këto pyetje – a do t’i përballojë ajo me sukses sfidat e parashtruara, dhe varësisht nga kjo – çfarë “jetëgjatësie” do të ketë koalicioni aktual qeveritar? Neziri është i mendimit se kjo përbërje e Qeverisë do të zgjasë deri në zgjedhjet lokale.
“Ky koalicion është e qartë se nuk ka përvojë dhe i mungon memoria institucionale për të zbatuar reforma të guximshme”, thotë analisti.
“VMRO-DPMNE ka 58 deputetë, është kompakte, por me sa duket nuk po menaxhohet shumë mirë me partnerët e koalicionit. ZNAM është një parti e re dhe pa përvojë, ndërsa VLEN-i është një koalicion i përbërë nga 5 lëvizje më të vogla politike, të cilat shpesh janë në konkurrencë me njëra-tjetrën. Qeverisë i mungon sinergjia e nevojshme, ajo fryma e ekipit dhe kohezioni që të synojë drejt rezultateve spektakolare. Vetëm shikoni se si dhanë llogari për 100 ditët e para- veç e veç, secili para të vetëve. Prandaj mendoj se kjo përbërje e Qeverisë do të zgjasë disi deri në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm. Pas kësaj, VMRO-DPMNE do të qetësohet nga emocionet në pragmën politike, e cila preferon një koalicion tjetër qeveritar, të përbërë nga kuadro të aftë dhe parti politike të etabluara”, parashikon Neziri.