12 pacientë do të lëshohen në shtëpi, 27 të tjerë po trajtohen në vend pas zjarrit në Koçan
Në klinikat në Shkup po trajtohen 39 pacientë të lënduar nga tragjedia në Koçan. Prej tyre, 12 janë në qendrën klinike, 10 në Spitalin e vjetër të qytetit, 10 pacientë në “8 Shtatori”, dhe 7 pacientë në klinika private, transmeton Portalb.mk. “Lajmi i mirë është se sot po lirohen 12 pacientë dhe praktikisht do të […]


Në klinikat në Shkup po trajtohen 39 pacientë të lënduar nga tragjedia në Koçan. Prej tyre, 12 janë në qendrën klinike, 10 në Spitalin e vjetër të qytetit, 10 pacientë në “8 Shtatori”, dhe 7 pacientë në klinika private, transmeton Portalb.mk.
“Lajmi i mirë është se sot po lirohen 12 pacientë dhe praktikisht do të mbeten 27 pacientë të cilët po trajtohen në spitalet e Shkupit. Jashtë vendit po trajtohen 115 pacientë. Lajmi i mirë është se ndoshta një pacient sot po kthehet nga Beogradi për trajtim të mëtejshëm në Shkup. Pacienti është në gjendje të mirë të përgjithshme”, tha Taravari.
Ministri informoi se gjendja e 4-5 pacientëve që po trajtohen jashtë vendit është më e rëndë. Diku ka pasur përkeqësim, por mjekët po bëjnë të pamundurën për të kaluar këtë periudhë të vështirë.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.
Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.