30 ditë paraburgim për gjykatësin Georgiev, kërkohen masa kujdesi për Memetin
Gjykatësi në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i shqiptoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh gjykatësit suprem Nake Georgiev, për të cilin ekziston dyshimi për veprën penale “pranim i shpërblimit për ndikim të paligjshëm”. “Pas deklarimit të […]
Gjykatësi në procedurë paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, i shqiptoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh gjykatësit suprem Nake Georgiev, për të cilin ekziston dyshimi për veprën penale “pranim i shpërblimit për ndikim të paligjshëm”.
“Pas deklarimit të të dyshuarit në prani të mbrojtësit të tij, por edhe vlerësimit të fakteve dhe provave të dorëzuara nga ana e prokurorit publik është miratuar vendim, me të cilin propozimi pranohet, ndërkaq të dyshuarit i caktohet masë paraburgimi në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1 pika 2 dhe 3, gjegjësisht mund ta pengojë procedurën penale me ndikim ndaj dëshmitarëve, dhe rrethanat të cilat tregojnë se do ta mbarojë ose përsërisë veprën penale”, thonë nga Gjykata Penale e Shkupit.
Ndërkaq, Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, i ka dorëzuar propozimin për caktimin e masave të kujdesit ndaj të dyshuarit të dytë, anëtar i Këshillit të prokurorëve publikë Ixhet Memeti.
“Me propozim prokuroria kërkon nga gjykata që të dyshuarit t’i caktojë masën e sigurimit në pajtim me nenin 146 paragrafi 1 pikat 2 dhe 3 të Ligjit për Procedurën Penale, d.m.th. detyrimin e të dyshuarit që herë pas here t’i raportojë një zyrtari të caktuar ose organit kompetent shtetëror të cilin do ta caktojë gjyqtari i procedurës paraprake dhe se dokumenti i udhëtimit për kalimin e kufirit shtetëror i konfiskohet përkohësisht, gjegjësisht ndalim për lëshimin e dokumentit të ri të udhëtimit ose dokumentit tjetër për kalimin e kufirit shtetëror në emër të të dyshuarit, si dhe ndalim të përdorimit të letërnjoftimit në emër të të dyshuarit si dokument për kalimin e kufirit shtetëror”, tha Prokuroria.