313 amendamente në raportin për Maqedoninë, shumica prej tyre nga eurodeputetë bullgarë dhe grekë
Në draft tekstin e raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, janë dorëzuar 313 amendamente. Shumica vijnë nga eurodeputetë bullgarë dhe grekë. Sipas tekstit të Vajc, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut po përjeton bllokime për arsye të ndryshme të pajustifikuara dhe BE-ja duhet të gjejë garanci se nuk do të ketë çështje […]


Në draft tekstin e raportuesit për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, janë dorëzuar 313 amendamente. Shumica vijnë nga eurodeputetë bullgarë dhe grekë. Sipas tekstit të Vajc, procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut po përjeton bllokime për arsye të ndryshme të pajustifikuara dhe BE-ja duhet të gjejë garanci se nuk do të ketë çështje bilaterale pas ndryshimit të Kushtetutës, transmeton Portalb.mk.
“Maqedonia e Veriut duhet të miratojë amendamentet kushtetuese në pritje, në përputhje me angazhimet e saj, në mënyrë që negociatat e pranimit të mund të fillojnë menjëherë,” thotë Vajc.
Por eurodeputeti bullgar Ivajlo Valçev, i cili vjen nga partia në pushtet në Bullgari, po kërkon një amendament për të theksuar se procesi i pranimit është i bllokuar për shkak të “retorikës armiqësore të udhëheqjes politike” në Maqedoni. Në disa prej amendamenteve të paraqitura, ai përdor si argument edhe votën në Kombet e Bashkuara.
“Abstenimi i fundit i Maqedonisë së Veriut nga Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së BE-11/7 për Ukrainën dhe bashkë-sponsorizimi i saj për një rezolutë alternative të udhëhequr nga SHBA-ja tregon një ndryshim të papritur dhe për keqardhje në shtrirjen e saj të politikës së jashtme…” thotë Ivajlo Valçevv.
Nga ana tjetër, të djathtët grekë kërkuan që emri i vendit “Republika e Maqedonisë së Veriut” të zëvendësohet me “Shkup”, dhe të vendosur në qëndrimet e tyre ishin edhe eurodeputetët francezë nga partia e djathtë e Marine Le Pen. Sipas tyre, Parlamenti Evropian duhet ta ndalë zgjerimin.
“Refuzon me forcë dëshirën e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në BE, si dhe çdo zgjerim të mëtejshëm të BE-së, pasi vendet kandidate, veçanërisht nga Ballkani Perëndimor, janë ende larg përmbushjes së kritereve për stabilitet politik, ekonomik dhe social”, thonë eurodeputetët francezë.
Krahas pjesës politike, raportuesi Tomas Vajc thekson në draft raportin se është e nevojshme edhe lufta kundër korrupsionit dhe pavarësia e gjyqësorit. Parlamenti Evropian do të debatojë për raportin dhe amendamentet më 13 maj.