Përfundoi Forumi i Dytë Studentor: Studentët e Ballkanit të bashkuar kundër korrupsionit dhe shkatërrimit të arsimit 

Studentët mund të ju bëjnë ballë sfidave dhe barrierave të cilat ju dalin përpara në luftën e tyre për standard studentor më të mirë, dinjitet dhe demokraci, nëse ata janë të bashkuar dhe të mirëorganizuar. Kjo ndër shumë të tjera u theksua në ditën e dytë të Forumit Studentor të këtij viti, të organizuar nga […]

maj 10, 2025 - 19:00
 0  5
Përfundoi Forumi i Dytë Studentor: Studentët e Ballkanit të bashkuar kundër korrupsionit dhe shkatërrimit të arsimit 
Dita e dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Studentët mund të ju bëjnë ballë sfidave dhe barrierave të cilat ju dalin përpara në luftën e tyre për standard studentor më të mirë, dinjitet dhe demokraci, nëse ata janë të bashkuar dhe të mirëorganizuar. Kjo ndër shumë të tjera u theksua në ditën e dytë të Forumit Studentor të këtij viti, të organizuar nga Forumi për Ndryshime në Arsim. U miratua edhe rezoluta studentore, shkruan Portalb.mk. 

Blendi Hodai, drejtor ekzekutiv i Forumit për Ndryshime në Arsim theksoi se ky forum shërben si hapësirë për dialog, reflektim kritik dhe veprim kolektiv, ku mbahen përgjegjës përfaqësuesit e studentëve dhe ku ndërtohen lidhjet që shndërrohen në lëvizje. 

“Kur studentët bashkohen , ata mobilizohen. Kur mobilizohen, ata ndikojnë. Dhe kur ndikojnë, ata transformojnë komunitetet e tyre, jo vetëm për veten e tyre, por edhe për brezat që do të vijnë”, tha Hodai. 

Ai përmendi lëvizjen studentore dhe protestat ku studentët çohen për dinjitet, drejtësi dhe demokraci, nga Serbia në Gjeorgji, nga Turqia në Hungari në Greqi. 

Blendi Hodai. Dita e dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Blendi Hodai. Dita e dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

“Nëse universitetet tona tolerojnë mediokritetin, nëse shpërblejnë padrejtësinë, nëse u mësojnë të rinjve të pranojnë një sistem të prishur si normal, nëse universitetet lejojnë individë që janë futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara për akte të rënda korrupsioni të vazhdojnë të mësojnë brezat e ardhshëm, çfarë mesazhi po dërgojmë? Po dërgojmë mesazhin se korrupsioni nuk është përjashtim; është vetë kurrikula”, tha Hodai.

 Ai shtoi se arsimi nuk ka të bëjë vetëm me diplomat, por se arsimi është shtylla kurrizore e një kombi.

“Është themeli mbi të cilin ndërtojmë karakterin e shoqërisë sonë. Dhe nëse ai themel është i kalbur, asnjë strukturë që ndërtojmë mbi të nuk mund të zgjasë”, tha Hodai. 

Aleksandar Nikollovski, kryesues i Trupit Kombëtar Studentor prezantoi punën e Trupit Kombëtar Studentor i cili u krijua në Forumin Studentor të vitit të kaluar. Mes tjerash përmendi sfidat e studentëve në vend, si ato financiare, akademike, shkencore, akomodimi, digjitalizimi dhe të tjera. 

“Asnjë nga universitetet tona nuk është në rangimet e universiteteve më të mira botërore..Bëni diçka për shoqërinë, sepse kur bëni diçka për shoqërinë ju bëni diçka për veten tuaj, për familjen, rrethin dhe gjithë vendin”, porositi Nikollovski. 

Aleksandar Nikollovski. Dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Aleksandar Nikollovski. Dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Avokim studentor kundrejt barrierave institucionale 

Goshe Nikollov, krijues i platformës Studentarija në Maqedoninë e Veriut tregoi se si kjo platformë është shnëdrruar në dritaren kryesore ku studentët informohen për çështjet arsimore por edhe ku i raportojnë hallet e tyre. 

“Mediat sociale janë bërë terren për aktivizëm në ditët e sotme. Studentaria u bë dritare ku studentët raportonin hallet e tyre, u bë dritare e cila fliste në gjuhën e tyre. Nuk jemi kundër universiteteve, as Ministrisë së Arsimit. Ne thjesht duam të përmirësojmë kushtet”, tha Nikollov. 

Ai shtoi se aktivizmi digjital i hapë dyert, por nëse studentët duan të ndryshojnë diçka ata duhet të organizohen dhe të veprojnë. 

“Përdorni rrjetet sociale me mençuri”, porositi Nikollov. 

Dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Berin Muhamed, kryetar i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në Maqedoninë e Veriut theksoi se mes të rinjve sheh shumë nxënës enentuziastë të cilët duhan të bëjnë ndryshime. 

Pse studentët nuk i besojnë sistemit? 

Kjo ishte pyetja për të cilën e ngritën eksperti Emir Hasanoviç dhe Vesa Sherifi nga FNA-ja dhe të cilën më pas e disktuan edhe me pjesëmarrësit, ku u ndanë përvoja të ndryshme. 

Vesa Sherifi dhe Emir Hasanoviç. Dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Vesa Sherifi dhe Emir Hasanoviç. Dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Fuqia dhe vështirësitë e aktivizmit studentor në konteksin rajonal 

Vështirësitë e aktivizmit studentor në vendet e rajonit dallojnë, megjithatë në esencë ato mbeten të njëjta. Fuqia e aktivizmit studentor Kjo mes tjerash u theksua nga përfaqësuesit e organizatave rajonale, edhe atë: Adriatik Llugiqi, United Youth Task – Kosovë: Ana Bampili, See in Action – Greqi; Jon Kola, Rezistenca Qytetare – Shqipëri dhe Lazar Begoviç, Instituti i Aktivizmit Rinor dhe Diversitetit – Serbi. 

Jon Kola nga Shqipëria tha se iniciativat e këtilla janë shumë të rëndësishme sidomos në Ballkanin Perëndimor pasi që nuk janë vetëm gjërat e mira që i bashkojnë, por janë gjithashtu edhe problemet.

“Duke ditur se studentët kanë shumë probleme në vazhdimësi, iniciativat e këtilla na tregojnë se studentët janë gjithmonë aty për të na treguar se si, gjërat që ne i marrim si shumë arbitrare në jetën e përditshme, në fakt janë shumë të brishta dhe si ne mund të kundërvihemi gjithmonë atyre për ta bërë jetën tonë dhe jetën e gjithë komunitetit më të mirë”, tha Kola. 

 Adriatik Llugiqi nga Kosova theksoi se ideja e tyre është që, bashkërisht jo vetëm të ndajnë ide të ndryshme, jo vetëm të ndërlidhen në aspektin kulturor, mirëpo edhe të vazhdojnë për përmirësimin e nivelit të lartë të arsimit por jo vetëm.

“Bashkimi besoj që na sjellë fuqi ndërmjet organizatave mirëpo edhe ndërmjet shtetit tonë. Kështu që, besoj që është hap i rëndësishëm, hapësira të këtilla si ky forum janë diçka që jo vetëm duhet ndjekur por edhe duhet të kërkohen premtimet”, tha Llugiqi. 

Dita e dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Dita e dytë e edicionit të dytë të Forumit Studentor. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kartë për pjesëmarrje studentore dhe mirëqenie 

Viktoria Postolovska nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) prezantoi Kartën për pjesëmarrjen dhe mirëqenien studentore, ku ka rekomandime dhe hapa konkretë për të përmirësuar standardin dhe jetën studentore si nga financat, organizimet studentore, vendimmarrja, mirëqenia e tyre dhe të tjera. 

Rezolutë studentore 

Në fund u prezantua dhe miratua njëzëri rezoluta studentore e këtij viti. 

Në forum u nënshkrua deklarata e përbashkët për “Troika” midis Trupit Kombëtar Studentor dhe Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme. 

Dje në ditën e parë të forumit, u mbajtën punëtori dhe panele diskutimi. Ndërsa u nënshkrua edhe deklarata e përbashkët për zbatimin e plotë të njohjes së kualifikimeve të arsimit të lartë në WB6 ndërmjet drejtorit Forumit për Ndryshime në Arsim dhe partnerëve rajonalë nga Shqipëria, Kosova dhe Serbia.

Forumi i këtij viti u realizua nën sloganin “Çohu. Ngrihu. Për të drejtat tona. Për njëri-tjetrin. Për të ardhmen që meritojmë”.

Kujtojmë që edicioni i parë i Forumit Studentor u mbajt në mars 2024 nën organizimin e Forumit për Ndryshime në Arsim. Në këtë forum u krijua Trupi Kombëtar Studentor, u miratua Karta e të Drejtave të Studentëve dhe Rezoluta e Studentëve.