A do të del Dimitrievski nga Qeveria? Ministrat shqiptarë nuk e heqin flamurin kombëtar!
Lideri i partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili në fillim të muajit korrik, kërcënoi se partia e tij do të largohet nga shumica qeverisëse nëse VLEN në koordinimin e veçantë të ministrave të saj vendosin flamurin shqiptar, ende është pjesë e pushtetit, ndonëse ministrat shqiptarë nuk heqin dorë nga flamuri kombëtar. “Nëse zëvendëskryeministri Izet Mexhiti […]
Lideri i partisë ZNAM, Maksim Dimitrievski, i cili në fillim të muajit korrik, kërcënoi se partia e tij do të largohet nga shumica qeverisëse nëse VLEN në koordinimin e veçantë të ministrave të saj vendosin flamurin shqiptar, ende është pjesë e pushtetit, ndonëse ministrat shqiptarë nuk heqin dorë nga flamuri kombëtar.
“Nëse zëvendëskryeministri Izet Mexhiti thërret takim koordinues me ministrat e VLEN-it në Qeveri dhe në të cilin do të jetë flamuri shqiptar, Lëvizja ZNAM do të largohet nga koalicioni qeverisës”, pati thënë kreu i ZNAM-it Maksim Dimitrievski në podkastin e Kanal 5.
Por, zv.kryeministri Mexhiti nuk e ka hequr nga zyra e tij në Qeveri flamurin kombëtarë ku vazhdon t’i mbajë takimet koordinatave në Qeveri me ministrat e VLEN-it.
Ndërkohë, në një prononcim të bërë sot për gazetën LAJM, zv.kryeministri për politika dhe qeverisje të mirë, Arben Fetai,e ka quajtur populizëm gjuhën që përdorë kryetari i partisë ZNAM, kundër koalicionit VLEN dhe përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare në institucionet shtetërore.
“Unë besoj që kjo është populizëm i pastër. Besoj që këto janë përpjekje për të poentuar politikisht duke shfrytëzuar ndoshta ndjeshmëritë në pjesë të caktuara të shoqërisë tonë. Besoj që këto nuk i ndihmojnë punës që kemi si Qeveri. Kemi shumë punë për të bërë dhe nuk është momenti kur ne duhet të kthehemi në tema të tilla dhe të hedhim benzin mbi zjarr. Përdorimi i flamujve në institucione rregullohet me ligj. Flamujt shqiptarë, flamujt tonë vazhdojnë të jenë në zyrat tona si ministra, drejtorë, zv.drejtorë të VLEN-it dhe do jenë aty në vazhdimësi”, tha Fetai.
Gazeta LAJM, ditë më parë publikoi një fotografi nga zyrat e Dimitrievskit ku shihej edhe flamuri shqiptar.