Abdixhiku për Kadarenë: Ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku lidhur me vdekjen e Ismail Kadaresë ka thënë se sot bota shqiptare është zgjuar në zi. Abdixhiku thotë se Kadare përmes veprave të tij i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe. “Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më […]
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku lidhur me vdekjen e Ismail Kadaresë ka thënë se sot bota shqiptare është zgjuar në zi.
Abdixhiku thotë se Kadare përmes veprave të tij i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe.
“Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë”, ka shkruar mes tjerash Abdixhiku.
Reagimi i plotë:
Me rastin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh shqiptar, kolosit Ismail Kadare, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku dërgon këtë telegram ngushëllimi:
“Sot bota shqiptare u zgjua në zi. U nda nga jeta Ismail Kadare, shkrimtari i përmasave ndërkombëtare, ai i cili për shumë dekada i dha letërsisë shqipe dhe asaj botërore kryevepra, që do mbesin gjithmonë referenca për kulturën dhe letërsinë, si vlera universale që kapërcejnë kufijtë nacional.
Kolosi Ismail Kadare, përmes veprave të tij, i ka dhënë nder e dinjitet të përbotshëm artit, kulturës dhe gjuhës shqipe.
Ai ka paraqitur tablon e errët nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria komuniste, vuajtjet, sakrificat, por edhe vlerat e mirëfillta shqiptare. Ai përmes mijëra faqeve të shkruara ka promovuar traditën dhe kulturën shqiptare në botë, duke i dhënë një vlerë të shtuar jo vetëm letërsisë shqipe, por edhe mbarë kontinentit dhe më gjerë.
Kadare, ka fituar çmime dhe njohje të panumërta për mjeshtërinë e tij në letërsi, e po ashtu ai ishte përmendur shumë herë edhe si kandidat potencial për Çmimin Nobel në Letërsi.
Kadare do të mbetet ikonë e letërsisë, mjeshtër i papërsëritshëm, një intelektual i shquar, një patriot i përkushtuar dhe një zë i fuqishëm që përfaqësonte denjësisht Shqipërinë në botë. Nga sot Shqipëria dhe bota e letërsisë humbën një personalitet të madh, i cili u shua vetëm fizikisht por vepra e tij është e përjetshme; siç dhe emri e kontributi i tij në kulturën dhe letërsinë botërore do të mbetet i përjetshëm.
Po ashtu, në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kujtojmë me mirënjohje angazhimin e tij të palodhshëm për çështjen e Kosovës, kontributi i të cilit është i paçmueshëm.
Në emrin tim personal dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, komunitetin letrar dhe gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Dritë pastë shpirti i tij!”