Ademi apel VLEN-it: Mos lejoni të preket gjuha shqipe
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka akuzuar koalicionin qeveritar se po punon për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve. “Koalicioni VMRO-VLEN-ZNAM duket se e kanë ndarë mendjen për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, konkretisht për zhbërjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Për çdo ditë, media të afërta […]
Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka akuzuar koalicionin qeveritar se po punon për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
“Koalicioni VMRO-VLEN-ZNAM duket se e kanë ndarë mendjen për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, konkretisht për zhbërjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Për çdo ditë, media të afërta me VMRO-në thirren në njëfarë vendimi gjysmak të Komisionit të Venecias, ndërsa mundohen ta ngushëllojnë opinionin se gjoja, edhe nëse shfuqizohet përdorimi zyrtar i shqipes, do të përgatitet një Ligj edhe më i mirë për gjuhën shqipe”, ka shkruar Ademi.
Ai ka ftuar drejtuesit e partive shqiptare në pushtet që të mos lejojnë të preket gjuha shqipe.
“Sinqerisht, në mënyrën më të ndershme të mundshme, i apeloj krerëve të VLEN-it të mos tolerojnë prekjen e gjuhës shqipe – gjënë më të shenjtë të shqiptarëve kudo që janë.
Takat për më shumë dihet që nuk keni, por së paku mos i rrënoni të arriturat që me gjak, mund e djersë i kemi fituar!”, ka shkruar Ademi.