Ageler: I ndjekim me kujdes procedurat në Kuvend për interpelancat e votuara për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor

Me shumë kujdes i ndjekim procedurat në Kuvend dhe deklaratat lidhur me interpelancat e votuara për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, theksoi sot ambasadorja e SHBA-së Angela Ageler në Qendrën Trajnuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Idrizovë. Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se si i komenton interpelancat e votuara për pesë anëtarët […]

Mars 13, 2025 - 15:00
 0  4
Ageler: I ndjekim me kujdes procedurat në Kuvend për interpelancat e votuara për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor
Angela Aggeler, Foto: Ambasada e SHBA-ve në Shkup

Me shumë kujdes i ndjekim procedurat në Kuvend dhe deklaratat lidhur me interpelancat e votuara për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, theksoi sot ambasadorja e SHBA-së Angela Ageler në Qendrën Trajnuese të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Idrizovë. Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve se si i komenton interpelancat e votuara për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, Ageler theksoi se nuk mund t’i komentojë ato, por, siç tha, më e rëndësishmja është ndjekja e procesit në mënyrë të qartë dhe transparente, transmeton Portalb.mk.

“Jemi duke e ndjekur nga afër, procedurat në Parlament dhe qëndrimet e tyre, për secilin rast, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ndiqet ligji, dhe të ndiqet në mënyrë të qartë dhe transparente për të gjithë ata që e vëzhgojnë”, tha Aggeler.

Lidhur me kërkesën e refuzuar për vizë të ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, Ageler tha se përgjigja duhet kërkuar nga vetë aplikanti, duke theksuar se SHBA ka ligje të rrepta për privatësinë dhe se nuk mund të komentojë çështjet që lidhen me marrjen e vizës amerikane për asnjë aplikant.

“Ne kemi ligje shumë të rrepta për privatësinë në Shtetet e Bashkuara, kështu që nuk mund të komentoj për asnjë çështje vize për asnjë individ. Unë do t’ju drejtoja te ministri për t’ju treguar se çfarë ka ndodhur, por gjithashtu do të them se çdo aplikanti për vizë amerikane, procesi i marrjes së vizës amerikane i shpjegohet individit dhe nëse ka diçka shtesë, shpjegohet edhe kjo”, tha Ageler.

Ndryshe, më 12 mars, në Kuvend u votua interpelanca për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi – Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovski, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska dhe Selim Ademi. Nisma e dorëzuar më 7 shkurt, u mbështet nga 67 deputetë të mazhorancës qeverisëse, por ata do të duhet të vendosin vetë nëse do të largohen nga detyra, siç e kërkon Ligji për Këshillin Gjyqësor.