Edhe pse Kuvendi i RMV-së votoi mosbesim ndaj tyre, anëtarët e Këshillit Gjyqësor do të vazhdojnë punën

Pavarësisht interpelancës ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe insistimit të pushtetit që të njëjtit të japin dorëheqje, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, shkruan Portalb.mk. Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pas votimit të interpelancës për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor pret që ata të […]

Mars 13, 2025 - 15:00
 0  3
Edhe pse Kuvendi i RMV-së votoi mosbesim ndaj tyre, anëtarët e Këshillit Gjyqësor do të vazhdojnë punën
Foto nga seanca e Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e kryetarit, 04.05.2023. Foto: Portalb.mk

Pavarësisht interpelancës ndaj pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe insistimit të pushtetit që të njëjtit të japin dorëheqje, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, shkruan Portalb.mk.

Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pas votimit të interpelancës për pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor pret që ata të tërhiqen nga postet e tyre.

“Unë pres të paktën përgjegjësi morale dhe që ata të lëshojnë pozitat që kanë zënë, sepse deputetët deklaruan qartë, ata që i kanë zgjedhur, se kanë humbur çdo kredibilitet. Se ata nuk kanë më asnjë kredibilitet për të qenë në vendet ku janë. Madje, këtë e vërtetojnë duke zgjedhur gjykatësin suprem partiak, që vjen nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që është ushtrues detyre, e dini si voton, nuk kam nevojë të shpjegoj këtu. Kështu që, me një fjalë, mburoja e fundit që mbron ish koalicionin qeveritar LSDM-BDI janë disa prokurorë dhe gjyqtarë”, theksoi Mickoski.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Alen Dereban, interpelancën e ka vlerësuar si vepër kushtetuese, ndërsa ka porositur kryetarin e Këshillit Gjyqësor që ta merr seriozisht mendimin e kuvendit.

“Votimi i interpelancës do të thotë se ata nuk kanë legjitimitet të marrin pjesë, e më së paku të vendosin në kuadër të këshillit. Këshilli Gjyqësor duhet të shqyrtojë këtë interpelancë. Të thirrë seancë të jashtëzakonshme, ndërkaq pres që të njëjtit të japin dorëheqje të menjëhershme.” tha ai.

Nga ana tjetër, anëtarët e Këshillit Gjyqësor, ndaj të cilëve u votua interpelanca: Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovski, Milazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska dhe Selim Ademi– as nuk e kanë ndërmend që të japin dorëheqje, sepse ligji nuk i obligon për të bërë një akt të tillë dhe sipas tyre, interpelanca është antikushtetuese dhe mekanizëm për ndërhyrje të ekzekutivit në gjyqësor.

“Ligji nuk njeh përgjegjësi kolektive, por vetëm përgjegjësi individuale, se gjyqësori nuk është një autoritet në varësi të кuvendit dhe politikës, por është një pushtet i tretë, para syve të publikut po bëhet një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në pavarësinë e sistemit gjyqësor përmes transmetimeve televizive. Kjo ndërhyrje vjen nga qeveria aktuale dhe se deputetët kanë nisur një rrugë kthimi nga nuk ka”, tha Vesna Dameva në fjalën e saj para deputetëve.

“Ndërhyrja e pushtetit legjislativ në punën e pushtetit gjyqësor është një precedent shqetësues që cenon ndarjen e pushteteve, një nga parimet themelore të demokracisë. Kjo interpelancë, e pa bazë dhe paushale, nuk është vetëm një tentativë për diskredimin tim personal dhe profesional, por gjithashtu një sulm ndaj pavarësisë së gjyqësorit në tërësi. Unë vazhdoj të jem i përkushtuar në misionin tim për një drejtësi të paanshme, efektive dhe të besueshme”, ka shkruar në letrën e tij drejtuar Kuvendit, Milazim Mustafa.

“Qëndrimi im është se interpelanca e një anëtari të Këshillit Gjyqësor është e paligjshme dhe akt antikushtetues. Në interpelancë shoh se parashtruesit e saj i referohen, dhe këtë e dëgjojmë vazhdimisht në media, për të drejtën e tyre të garantuar me Kushtetutë për të paraqitur interpelancë, sipas nenit 72 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Megjithatë, dispozita e nenit 68, paragrafi 1, pika 15, ka një zgjidhje tjetër kushtetuese. Aty thuhet se një interpelancë mund të bëhet kundër çdo bartësi të funksionit publik që përgjigjet para Kuvendit. Anëtarët e Këshillit Gjyqësor, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor, i cili është një “lex specialis” dhe të cilit Kushtetuta i referohet në lidhje me çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me Këshillin Gjyqësor, përkatësisht përbërjen e Këshillit Gjyqësor, mandatin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, kompetencat e Këshillit Gjyqësor, kushtet dhe procedurën e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor përgjegjësia e një anëtari të Këshillit Gjyqësor, janë çështje të cilat në përputhje me Kushtetutën më konkretisht dhe me vendosmëri janë të shpjeguara dhe të rregulluara me Ligjin për Këshillin Gjyqësor”, tha Tanja Çaçarova – Ilievska.   

Pres që deputetët të më japin një shpjegim me shkrim se çfarë kam bërë në mënyrë të paligjshme dhe ku kam shkelur ligjin. Derisa të marr përgjigje prej tyre, nuk do të komentoj për çështjen e dorëheqjes sime” tha Selim Ademi.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski ka deklaruar se mbetet vendim personal i anëtarëve çështja e dorëheqjeve.

“Është vendim personal. Nuk mund të deklarohem se çka pres unë. Nuk e di si do të veprojnë kolegët”, ka thënë Kambovski.

Për çështjen konkrete u deklarua edhe ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler. Ambasadorja tha se është e rëndësishme që të respektohen procedurat ligjore.

“Jemi duke e ndjekur nga afër, procedurat në Parlament dhe qëndrimet e tyre, për secilin rast, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të ndiqet ligji, dhe të ndiqet në mënyrë të qartë dhe transparente për të gjithë ata që e vëzhgojnë”, tha Ageler.

Kujtojmë se, përkundër presionit të ekzekutivit, dëshirave të kryeministrit dhe deputetëve të shumicës parlamentare, ligji për Këshillin Gjyqësor është në anën e anëtarëve të këshillit.

Sipas Nenit 31 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor anëtarit të këshillit i mbaron mandati me skadimin afatit kohor për të cilin është zgjedhur, me kërkesë të tij, nëse dënohet për vepër penale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, nëse vërtetohet pashkahtësi për të kryer funksionin… etj. Të gjitha këto, për përgjegjësi individuale dhe jo siç i atribuon kuvendi se “anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi kanë kontribuar në rrezikimin e pavarësisë, profesionalizmit dhe reputacionit të gjyqësorit dhe gjykatësve dhe kanë kontribuar në rënien e besimit të qytetarëve në gjyqësor. Anëtarët kanë neglizhuar dhe nuk kanë arritur të kryejnë funksionin e tyre në punën e këshillit”, thuhet në Konkluzioni e Kuvendit.