Ahmeti letër Mickoskit: Çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte pasoja serioze për kohezionin e brendshëm
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti i ka dërguar letër kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, njoftojnë nga partia opozitare, transmeton Portalb.mk. Në letër, Ahmeti thotë se vendimet kanë një efekt potencial negativ në “kohezionin ndëretnik në shtet”. “Situata gjeopolitike është më e rrezikshme se […]
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti i ka dërguar letër kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, njoftojnë nga partia opozitare, transmeton Portalb.mk.
Në letër, Ahmeti thotë se vendimet kanë një efekt potencial negativ në “kohezionin ndëretnik në shtet”.
“Situata gjeopolitike është më e rrezikshme se në çdo kohë që nga fundi i shekullit të kaluar, me përshkallëzimin e agresionit rus në Ukrainë, ambiciet e Kinës, situatën komplekse në Ballkanin Perëndimor, paqëndrueshmërinë në Bosnje dhe Hercegovinë, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe bllokadat e vazhdueshme nga ana e Bullgarisë. Në këtë mjedis të komplikuar, çdo prishje e re e marrëdhënieve ndëretnike do të kishte pasoja të rënda për kohezionin e brendshëm dhe parashikueshmërinë”, thuhet në letrën drejtuar kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Mickoski.
Ahmeti në letër shton se vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese, të cilat sipas tij duket se përfaqësojnë ekzekutimin e programit të VMRO-DPMNE-së për shfuqizimin e mekanizmave kyç për mbrojtjen e komuniteteve, kanë shkaktuar shqetësim tek qytetarët të cilët janë të përkushtuar për ndërtim më të mirë të marrëdhënieve të qëndrueshme ndëretnike në vend.
“Marrëveshja e Ohrit, e cila solli mirëkuptim më të mirë ndëretnik, nuk është vetëm çështje politike, por është themeli i demokracisë, stabilitetit dhe progresit tonë shumë-etnik. Çdo përpjekje për ta vendosur në pikëpyetje, sidomos në kontekstin aktual, është një hap që mund ta përkeqësojë situatën në vend dhe në rajon”, thuhet në letrën e Ahmetit.
Në letër përmendet edhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, ku Ali Ahmeti shkruan se vendimet për ndryshimin apo rishikimin e tij “nuk janë vetëm politikisht të diskutueshme, por edhe të dëmshme për progresin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve”.
“Ky është një zhvillim që mund të minojë fitimet e arritura me vështirësi dhe ta kthejë vendin në periudha pasigurie,” thuhej në letër.
Ahmeti i bën thirrje Mickoskit të “mendojë” me pjekuri dhe përgjegjësi dhe thotë se e ardhmja e vendit duhet të ndërtohet në bazë të bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë, e jo në ndarje.