Ajtene Hajdari Qamili: Gjuha shqipe sot është e sfiduar nga kompjuterizimi, rinia nuk arrin ta përvetësojë si duhet drejtshkrimin (Intervistë)

Me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe për atë se si ky përvjetor e gjen gjuhën, me theks të veçante te të rinjtë, Portalb.mk bisedoi me profesoreshën universitare të gjuhës Ajtene Hajdari Qamilin. Ajo kritikoi rininë e ditës së sotme, ku siç tha nuk arrin të përvetësojë si duhet drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin, […]

Nëntor 22, 2024 - 19:00
 0  6
Ajtene Hajdari Qamili: Gjuha shqipe sot është e sfiduar nga kompjuterizimi, rinia nuk arrin ta përvetësojë si duhet drejtshkrimin (Intervistë)
Ajtene Hajdari-Qamili prof.dr në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Foto nga arkivi i saj personal.

Me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe për atë se si ky përvjetor e gjen gjuhën, me theks të veçante te të rinjtë, Portalb.mk bisedoi me profesoreshën universitare të gjuhës Ajtene Hajdari Qamilin. Ajo kritikoi rininë e ditës së sotme, ku siç tha nuk arrin të përvetësojë si duhet drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin, por e gërsheton me elemente dialektore, me fjalë të huaja dhe me trajta të gabuara vetanake.

Intervistoi Albina Ramadani

Portalb: Sa të rinjtë dinë ta shkruajnë pastër dhe mirë gjuhën shqipe?

Ajtene Hajdari-Qamili: Shikuar nga ana praktike në shkollat tona përdorimi i shqipes standarde duket se është në nivel të kënaqshëm, por problemi qëndron në atë se gjërat përvetësohen në mënyrë mekanike, gramatika mësohet përmendsh pa e lidhur si duhet me praktikën ligjërimore të nxënësve, në vend që nxënësit të aftësohen t’i përdorin rregullat gramatikore gjatë ligjërimit të tyre, duke shmangur trajtat dialektore dhe jo normative.

Prandaj rinia e sotme nuk arrin ta përvetësojë si duhet drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin, por e gërsheton me elemente dialektore, me fjalë të huaja dhe me trajta të gabuara vetanake. Megjithatë, nuk duhet harruar se gjendja në të cilën jemi ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut i ka rrënjët shumë më të thella nga sa na duket.

Në LDB nga popujt ballkanikë shqiptarët u çliruan të fundit, kurse për shqiptarët që mbetën në ish-Jugosllavi robëria vijoi edhe më tutje, jeta e tyre politike, ekonomike e kulturore u bë edhe më e rëndë e madje e mjerueshme, sepse nuk gëzonin as të drejtat elementare kombëtare. Pushtet mbajtësit e asaj kohe, që zbatonin një politikë shkombëtarizuese, e kishin ndaluar rreptësishtë përdorimin e shqipes letrare.

Për përpjekjet më të vogla për të komunikuar me shkrim në shqip, shqiptarët pësonin dënime të rrepta e tortura barbare. Për këtë, përveç të tjerash, flet edhe fakti se, në këto vise 90% e popullsisë shqiptare ishin analfabetë, sidomos vajzat. Mbyllja e paraleleve shqipe në shkollat e mesme, mbyllja e Akademisë Pedagogjike, programet e cunguara në mjetet e informimit në gjuhën shqipe, krijuan pengesa serioze në zhvillimin arsimor, kulturor dhe shkencor të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Natyrisht, se nga kjo gjendje kemi trashëguar plagë shumë të rënda në shumë sfera të jetës, por më së shumti në përvetësimin e shqipes standarde.

Portalb: Cilat janë sfidat më të mëdha?

Ajtene Hajdari-Qamili: Sfidat që ka përjetuar shqipja standarde në Maqedoninë e Veriut në disa dekada janë: politikat antishqiptare; mungesa e shkollave të mesme dhe universiteteve në gjuhën shqipe deri vonë; moslejimi i përdorimit të shqipes në administratë deri para një dekade; trysnia e madhe nga maqedonishtja, serbokroatishtja, së fundi më shumë nga anglishtja; ngulfatja nga teknologjia moderne; rënia e cilësisë së mësimdhënësve; prindër të papërgjegjshëm që kërkojnë vetëm nota dhe jo dije nga fëmijët e tyre; botëkuptimi i rinisë së sotme – fëmijë të lazdruar pa vizion dhe mision që lakmojnë vetëm të mirat materiale etj.

Portalb: Si ndikojnë teknologjitë moderne dhe përdorimi i mjeteve digjitale në shkrimin e gjuhës shqipe?

Ajtene Hajdari-Qamili: Sfida më e madhe me të cilën ballafaqohet sot gjuha shqipe është epoka e kompjuterizimit. Teknologjitë moderne dhe mjetet digjitale po shpërdorohen nga rinia e sotme, edhe pse niveli i arsimimit tani po arrin kulmin. Nga shumë analiza dhe hulumtime që janë bërë lidhur me ndikimin e internetit në shumë gjuhë botërore, janë vënë në pah dukuri të ndryshme gjuhësore. Disa nga dukuritë gjuhësore që i krijuan përdoruesit e rrjeteve sociale në mënyrë që të ndër veprojnë midis tyre dhe të përcjellin përjetime të ndryshme emocionale, janë të përgjithshme dhe kanë depërtuar pothuajse në të gjitha gjuhët e botës, kurse disa janë të veçanta për gjuhë të veçanta.

Natyrisht, se edhe në gjuhën shqipe janë krijuar disa dukuri tipike nga interneti, duke filluar nga ato të përgjithshmet, si: shkurtesat flm, t h z, ktst, fmljn; të shkruarit pa zanore; mospërdorimi i [ë]-së dhe [ç]-së dhe zëvendësimi i tyre me [e] dhe [c] ose [q], gërshetimi i të folmeve dialektore brenda të njëjtit tekst ose përdorimi i veçorive dalluese dialektore gege nga toskët dhe anasjelltas; krijimi i zhargonit të internetit, përsëritja e shenjave të pikësimit (?????, !!!!!, ?!?!?!?); përsëritja e fjalëve, e zanoreve ose e bashkëtingëlloreve (aaaaa, mmmm, hmmm, pseee); zëvendësimi i fjalëve ose një pjese të fjalës me simbole të ndryshme ose numra (vër8, 5imist); shkronjat e mëdha në mes të fjalisë ose në të gjithë fjalinë (të dua TYY), pasthirrmat e ndryshme (uaaa, ncncnc), emotikone, përdorimi i anglizmave (qofshin shkurtesa, fjalë apo fjali të tëra);

Portalb: Sa gjuha shqipe sot është e rrezikuar nga ndikimet e gjuhëve të huaja?

Ajtene Hajdari-Qamili: Siç e përmenda edhe më sipër, se shqipja ka ndikime dhe trysni nga maqedonishtja si gjuhë zyrtare, por kohëve të fundit trysni më të madhe ka nga anglishtja, si dukuri e përhapur kudo në botë përmes teknologjisë moderne dhe rrjteve sociale. Nëse nuk alarmohet kjo çështje dhe nuk merren masat e duhura nga institucionet kompetente që të ndërgjegjësohet shoqëria, për një periudhë të shkurtër kohore shqipja mund të transformohet në një gjuhë gjysmake e përzier me trajta dialektore, me shkurtesa, me shumë fjalë anglishte, pa shkronjat [ë] dhe [ç], pa rregulla gramatikore etj., e cila do të largohet aq shumë nga shqipja e sotme, saqë do të vështirësohet komunikimi. Secili individ duhet së pari të fillojë të marrë masa nga vetvetja e të përpiqet të ndikojë në shoqëri.

Portalb: Çfarë rekomandoni që të zgjidhet problemi?

Ajtene Hajdari-Qamili: Kjo gjendje mund të përmirësohet me një strategji për të vetëdijesuar shoqërinë dhe institucionet për vlerën dhe rëndësinë e gjuhës standarde të një kombi, sepse zbatimi i saj me korrektesë duhet t’i interesojë tërë shoqërisë e jo vetëm gjuhëtarëve. Strategjia e investimit në dijen shkencore në gjeneratat e reja përplot elan, së bashku me aftësinë për t’i përthithur të arriturat shkencore duhet të përmirësohet, por jo duke bërë eksperimentim që i kalon caqet hapësinore dhe kohore, sepse atëherë ai bëhet i dëmshëm dhe ndikon negativisht.

Në këtë kontekst do të ishte e nevojshme të organizohet një studim empirik, i cili do të gjurmonte edhe më thellë korrelacionet që arsimi i ushtron me institucionet e tjera shoqërore, si familja, ndërmarrjet, shoqëria civile, mediet etj., të cilat do të sjellin prurje më të mëdha për përvetësimin dhe zbatimin e shqipes standarde.