Akoma asnjë detaj nga vrasja e një ditë më parë në Batincë, policia vazhdon hetimin
Akoma e pazbardhur vrasja e një ditë me parë në Batincë të Shkupit. Policia ende nuk ka arritur deri tek autorët, ndërsa po gjurmohet në disa pista e ndër të më e forta në dyshime mbetet ajo e hakmarrjes. Ditë më parë me plumba kallashnikovi u vra 34 vjeçari Abdyl Ibraimi, ndërsa i plagosur mbeti […]
Akoma e pazbardhur vrasja e një ditë me parë në Batincë të Shkupit. Policia ende nuk ka arritur deri tek autorët, ndërsa po gjurmohet në disa pista e ndër të më e forta në dyshime mbetet ajo e hakmarrjes. Ditë më parë me plumba kallashnikovi u vra 34 vjeçari Abdyl Ibraimi, ndërsa i plagosur mbeti bashkudhëtari në makinën e tij 31 vjeçari që mësohet të jetë vëllai i tij. Motivet e vrasjes mbeten akoma të panjohura, ndërsa dëshmitarët okularë i kanë thënë grupit hetimor se në drejtim të makinës FORD me targa italiane është gjuajtur nga një makinë e llojit Mercedes nga ku zjarr kanë hapur dy persona të maskuar.
Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Prokuroria por nga organi i akuzës thonë se për momentin është bërë hetimi paraprak dhe janë konfiskuar mjete në cilësinë e provave materiale që mund të ndihmojnë hetimin. Megjithëse pa identifikimin e autorëve, Prokuroria do të ngelet duarlidhur.
Vrasja e 34 vjeçarit nga Cërni Vërvi i Shkupit është njëra nga vrasjet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur dy vitet e fundit në rajonin e Shkupit e që për të cilat policia dhe prokuroria nuk kanë arritur t’i kapin autorët dhe zbardhin motivet. Epilog nuk ka as vrasja e 26 majit në Rrugën e Plastikave, ndërsa pa zbardhur mbeti edhe tentim vrasja ndaj Rade Trajkovskit në Qendrën Tregtare East Gate Mall më 24 tetor të vitit kaluar. Të gjitha këto incidente të armatosura ndodhën në periudhën kur policia kishte ngritur operacionin në nivel të Shkupit me emrin “Qyteti i sigurt”. /Alsat.mk