Albin Kurti: “Të gjithë jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrimi i përket Republikës së Kosovës – Populli do ta mbajë në zemër këtë hero të Kosovës”
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar ngjarjen e 24 shtatorit të vitit 2023, ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Përveç homazheve që i bëri paraditen e sotme, Kurti shkroi edhe një postim në rrjetin e tij social Facebook për heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun. Ai tha se familja Bunjaku


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar ngjarjen e 24 shtatorit të vitit 2023, ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Përveç homazheve që i bëri paraditen e sotme, Kurti shkroi edhe një postim në rrjetin e tij social Facebook për heroin e Kosovës, Afrim Bunjakun. Ai tha se familja Bunjaku e humbi anëtarin e dashur të familjes së saj por Kosova fitoi shumë më tepër integritet territorial, sovranitet shtetëror, sundim të ligjit, paqe e siguri, shkruan Gazeta 10.
Kurti tha se rënia heroike e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, por ishte një rënie e cila e ngriti Republikën e Kosovës së brendshmi, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar.
Rënia heroike e Afrim Bunjakut dëshmoi se kemi të bëjmë me një shtet që i del zot vetvetes dhe i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim, duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit, shtoi tutje Kurti.
Albin Kurti kujtoi edhe dy rreshterët tjerë të Policisë së Kosovës, Alban Rashitin i cili u plagos po atë ditë, por që sot është gjallë dhe i fortë në krye të detyrës. Gjithashtu edhe Mirsad Kryeziun i cili rrezikoi veten e tij dhe kaloi në breshëri plumbash për të nxjerrë trupin e kolegut të tij, Afrim Bunjakut nga Banjska e Zveçanit.
Me këtë rast, Kurti u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët, shkruan Gazeta 10.
Kurti tha se kjo aktakuzë i përfshinë 45 persona dhe sipas tij, të gjithë duhet t’i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës.
“Me ndihmën e akterëve ndërkombëtarë, me ndihmën e shteteve demokratike, që edhe 45 të akuzuarit e tjerë të vihen përballë drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku e kemi edhe EULEX-in, edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare për shkak të pranisë së madhe saj dhe ku padyshim që do të kenë gjykim të drejtë dhe ata do të marrin dënimin meritor”, shtoi tutje Kurti.
Kurti gjithashtu tregoi edhe një pjesë të biografisë së Afrim Bunjnakut, ku tha se ai shërbeu në stacionet e policisë në Mitrovicë dhe në Vushtrri. Kishte punuar 22 vite si polic, prej të cilave 16 vjet në gradën Rreshter dhe tash në gradën Hero i Kosovës. Ai tha se kjo gradë është e vetmja që nuk i merret as atij dhe as të tjerëve tl vcilët e kanë këtë gradë, sikurse zyrtari tjetër policor i rënë në korrik të vitit 2011, Enver Zymeri.
“Lavdi Afrim Bunjakut, të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës dhe dëshmorëve të kombit tonë në përgjithësi!”, shkroi tutje Kurti në postimin e tij./Gazeta 10
