Ambasadori i ri i BE-së në RMV dorëzoi letrat kredenciale, u theksua rëndësia e rrugës eurointegruese

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka pranuar sot kopjet e letrave kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar dhe shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, transmeton Portalb.mk. “Duke i uruar mirëseardhje ambasadorit Rokas, ministri Mucunski theksoi se misioni i tij diplomatik fillon në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për […]

shtator 5, 2024 - 15:00
 0  6
Ambasadori i ri i BE-së në RMV dorëzoi letrat kredenciale, u theksua rëndësia e rrugës eurointegruese
Mihalis Rokas dhe Timço Mucunski. Foto: MPJ

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka pranuar sot kopjet e letrave kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar dhe shefit të Delegacionit të Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, transmeton Portalb.mk.

“Duke i uruar mirëseardhje ambasadorit Rokas, ministri Mucunski theksoi se misioni i tij diplomatik fillon në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të vendit dhe në këtë kuptim shprehu besimin se me një përkushtim të fortë reciprok do të arrijmë të sigurojmë përparim vendimtar në rrugën drejt realizimit të përcaktimit strategjik për anëtarësimin e ardhshëm në BE”, thuhet në njofitmin e MPJTJ-së.

U theksua rëndësia e integrimit sa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, dhe në këtë kontekst u mirëprit edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i miratuar së fundmi si një kontribut i rëndësishëm politik dhe financiar i BE-së në rajon dhe një nxitje shtesë për arritjen e këtij qëllimi të përbashkët.

Diplomati grek Mihalis Rokas mori detyrën më 3 shtator duke zëvendësuar në këtë pozitë ambasadorin e deritanishëm David Geer.

Rokas paraprakisht ishte ambasadori i BE-së dhe Shefi i Delegacionit të BE-së në Malajzi, një post që ai e ka mbajtur që nga dhjetori 2020.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, emëroi 44 kryetarë të rinj të delegacioneve të BE-së për rotacionin e ardhshëm diplomatik të delegacioneve të BE-së në mbarë botën.