ANALIZË: Për dy vite shuma për pensione në Maqedoninë e Veriut do të kalojë 2 miliardë euro
Në pritje të rritjes së re lineare të pensioneve për 2.500 denarë në muajin mars, misioni i FMN-së në Maqedoni. Situata financiare e FSPIM-së, plani për të ardhura të qëndrueshme, reformat. Këto janë disa nga temat që do të jenë në tavolinë, ndërsa sipas informacioneve të konfirmuara pritet edhe raporti i ekspertëve monetarë me vlerësim […]
![ANALIZË: Për dy vite shuma për pensione në Maqedoninë e Veriut do të kalojë 2 miliardë euro](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2024/11/Fondi-sigurimit-pensional-invalidor-1200x1169-1-e1731757382392.jpg?fit=1024%2C778&quality=89&ssl=1)
![Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor, foto nga Portalb.mk](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2024/11/Fondi-sigurimit-pensional-invalidor-1200x1169-1-e1731757382392.jpg)
Në pritje të rritjes së re lineare të pensioneve për 2.500 denarë në muajin mars, misioni i FMN-së në Maqedoni. Situata financiare e FSPIM-së, plani për të ardhura të qëndrueshme, reformat. Këto janë disa nga temat që do të jenë në tavolinë, ndërsa sipas informacioneve të konfirmuara pritet edhe raporti i ekspertëve monetarë me vlerësim për sistemin e pensioneve. Projeksionet e reja të FSPIM-së tregojnë se në vitin 2027 shuma për pagesën e pensioneve do të kalojë 2 miliardë euro, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Në mars rritje e re e pensioneve – FMN-ja do të japë rekomandime të vjetra-të reja…
“Financat publike përballen me sfida afatgjata për shkak të plakjes së popullsisë. Pa reforma dhe me zvogëlimin e popullsisë në moshë pune, deficiti i pensioneve parashikohet të dyfishohet deri në vitin 2030”.
Kjo theksohet në njërin nga raportet e FMN-së, e cila prej vitesh paralajmëron se do të nevojiten reforma të thella për të siguruar qëndrueshmëri të sistemit të pensioneve. Misioni i FMN-së e diskutoi këtë temë me autoritetet tona edhe vitin e kaluar. Këtë muaj, përfaqësuesit e FMN-së do të dorëzojnë një Raport të ri – me vlerësime dhe rekomandime të reja. Për momentin dihet qëndrimi i FMN-së për skenarin sipas të cilit duhet të rritet mosha e daljes në pension si dhe të zbatohen reforma për rritjen e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore, duke qenë se demografia nuk është në “anën” e sistemit të pensioneve, gjegjësisht po bëhemi gjithnjë e më shumë një vend me popullsi të moshuar.
Takimin me FMN-në e konfirmon edhe udhëheqësia e FSPIM-së, por kategorikisht thonë se nuk po mendojnë as për rritjen e moshës së daljes në pension, e as për rritjen e përqindjes së sigurimit pensional.
“Përfaqësuesit e FMN-së, në përgjithësi, janë të interesuar për gjendjen e sistemit të pensioneve dhe për stabilitetin e pagesës së pensioneve. Çështja kryesore në takimin e kaluar ishte qëndrueshmëria e rritjes së pensioneve për 2.500 denarë në shtator dhe tani për 2.500 denarë në mars. Një nga çështjet ishte edhe rritja e moshës për dalje në pension, e cila u refuzua nga ana jonë dhe këtë e konfirmuan edhe nga Qeveria” – thonë nga FSPIM-ja.
Krahas FMN-së, edhe Banka Botërore ka rekomanduar reforma në sistemin e pensioneve – rritjen e moshës së daljes në pension, kthimin në modelin e rritjes së pensioneve në bazë të çmimeve të shitjes me pakicë, rritjen dhe barazimin gradual të moshës së pensionimit për burrat dhe gratë, si dhe rritjen graduale të përqindjes së kontributeve.
Gjithnjë e më shumë para do të nevojiten për të paguar pensionet – stabilizim në vitin 2035
Ndërkohë, pensionistët e presin rritjen e re lineare të pensioneve për 2.500 denarë, e cila do të ndodhë në muajin mars, duke përmbushur kështu premtimin e qeverisë për rritjen e pensioneve për 5.000 denarë. Rritja lineare e pensioneve e rriti anën e kostove të Fondit Pensional, gjë që rriti edhe transferimin e fondeve nga buxheti qendror në llogarinë e Fondit. Sipas të dhënave nga buxheti për këtë vit, shpenzimet totale të FSPIM-së u rritën në 2,27 miliardë euro, dhe vetëm shuma për pagesën e pensioneve u rrit për 16,6% në krahasim me vitin e kaluar për dy arsye – rritjes së pensioneve dhe rritjes së numrit të pensionistëve.
Sipas Planit të ri Strategjik 2025-2029 të FPSIM-së, këtë vit për pagesën e pensioneve do të shpenzohen gati 1,8 miliardë euro dhe kjo shumë do të vazhdojë të rritet edhe në vitet në vijim, kështu që në vitin 2026 shuma do të rritet në 1,9 miliardë euro, kurse në vitin 2027 do të kalojë 2 miliardë euro.
Do të rritet shuma e pensioneve, e po ashtu do të rritet edhe numri i pensionistëve. Këtë vit, sipas vlerësimeve, pensione do t’u paguhen 343.992 pensionistëve, dhe ky numër do të rritet për 5.900 përfitues të rinj të pensionit për dy vite.
Aktualisht, përveç shtyllës shtetërore të pensioneve, janë rreth 180 përfitues të pensioneve edhe nga fondet private. Sipas analizave të bazuara në strukturën e moshës së të siguruarve, në vitin 2035 pritet që pensione të paguhen për një numër të konsiderueshëm përfituesish të rinj edhe nga fondet private, që do të përfaqësojë një nga hapat e parë madhorë drejt lehtësimit financiar për fondin shtetëror, një hyrje në uljen e deficitit të FSPIM-së.
Sipas të dhënave të përmbledhura për vitin 2024, në fund të vitit të kaluar në vend kishte 345 796 pensionistë, prej të cilëve 34,1% marrin pension nga 15.693 deri në 19.409 denarë dhe vetëm 7,97% kanë pension më të lartë se 39.115 denarë.