ANALIZË: Përmbaruesit arkëtuan 47 milionë euro nga qytetarët e RMV-së, për pesë vjet dyfish më shumë, paralajmërohen ndryshime të reja ligjore

Që nga viti 2006, kur u formuan, e deri në fund të vitit 2024, nëpërmjet përmbaruesve është arkëtuar një shumë fantastike prej gati 2,1 miliardë eurosh.  Raporti vjetor i Dhomës së Përmbaruesve tregon se vitin e kaluar u arkëtuan 160,6 milionë euro nga debitorët, kompanitë, qytetarët dhe shteti, me një realizim prej 44,15% të vendimeve […]

maj 5, 2025 - 07:00
 0  5
ANALIZË: Përmbaruesit arkëtuan 47 milionë euro nga qytetarët e RMV-së, për pesë vjet dyfish më shumë, paralajmërohen ndryshime të reja ligjore
Denarë. Foto: Janusz Pienkowski në Canva

Që nga viti 2006, kur u formuan, e deri në fund të vitit 2024, nëpërmjet përmbaruesve është arkëtuar një shumë fantastike prej gati 2,1 miliardë eurosh.  Raporti vjetor i Dhomës së Përmbaruesve tregon se vitin e kaluar u arkëtuan 160,6 milionë euro nga debitorët, kompanitë, qytetarët dhe shteti, me një realizim prej 44,15% të vendimeve përmbaruese, që është niveli më i lartë që nga viti 2020. Po paralajmërohen ndryshime të reja ligjore që duhet të çojnë në uljen e shpenzimeve për përmbarim që i paguajnë qytetarët, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.

Debitorët më të mëdhenj janë kompanitë, pastaj qytetarët, e më pas shteti…  

Përmbaruesit arkëtuan pothuajse 880.000 euro më shumë në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023 nga të gjitha kategoritë e debitorëve – qytetarët, kompanitë dhe shteti. Raporti vjetor i përmbaruesve tregon se vitin e kaluar nga borxhlinjtë u arkëtuan 160,6 milionë euro. Analiza krahasuese e të dhënave që e bëri “Portalb”-i tregon se për pesë vjet shuma e arkëtuar është rritur për 37,5 milionë euro.  

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Debitorët më të mëdhenj sipas shumës së arkëtuar janë kompanitë me 84,3 milionë euro, nga qytetarët me detyrim u arkëtuan gati 47 milionë euro nga ana e përmbaruesve, kurse 31,5 milionë euro u arkëtuan nga shteti.  

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Personat juridikë, gjegjësisht kompanitë, shfaqen gjithashtu edhe si kreditorë më të mëdhenj, të cilët vitin e kaluar nga debitorët kanë arkëtuar pothuajse 127,4 milionë euro, e më pas vijnë qytetarët me 33,3 milionë euro dhe shteti me gati 2,1 milionë euro. Analiza krahasuese e të dhënave të cilën e bëri “Portalb”-i tregon se në pesë vitet e fundit, shuma e mjeteve të arkëtuara nga qytetarët është dyfishuar, nga 24,6 milionë euro në vitin 2020 në pothuajse 47 milionë euro në vitin 2024. Nga ana tjetër, shuma e arkëtuar nga personat juridikë ka rënë nga 89,4 milionë euro në 84,3 milionë euro.  

Vitin e kaluar, realizimi i kërkesave përmbaruese arriti në 44,15%, që është niveli më i lartë që nga viti 2020. Realizim më të madh të kërkesat përmbaruese kishte në gjykatat në Ohër, Strugë dhe Dibër, e më pak në gjykatat në Koçan, Berovë, Vinicë dhe Dellçevë.  

Paralajmërohen ndryshime të reja ligjore për arkëtimin e detyrueshëm…  

Në mesin e vitit 2023, u bënë ndryshime në Ligjin për Përmbarim, sipas të cilave në momentin kur kamata do të arrijnë vlerën e borxhit kryesor (kredisë), llogaritja ndalet, gjegjësisht shuma e kamatës nuk mund ta tejkalojë borxhin kryesor. Me këtë vendim të ri u mbuluan edhe procedurat e përmbarimit që ishin në realizim e sipër.  Në atë kohë, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe të Levicës nuk votuan për ndryshimet. Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese e hoqi afatin e parashkrimit (vjetërsimit) si mundësi për mosarkëtimin e borxheve, dhe pikërisht afati i parashkrimit duhej t’i mbronte qytetarët nga keqpërdorimet me “mbajtjen e lëndëve në sirtar” për të cilat më pas llogaritet kamatë e madhe.  

Tani, aktivistët qytetarë po paralajmërojnë një iniciativë për ndryshime të reja ligjore që do të synojnë avokatët dhe noterët si “pika të rëndësishme” në procedurën e arkëtimit të detyrueshëm. Disa nga përmbaruesit u justifikuan duke thënë se kostot e larta të përmbarimit që i paguajnë qytetarët janë për shkak të tarifave që i paguajnë avokatët dhe noterët. Çdo ndryshim i ri ligjor do të ishte në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë.