Anastacia flet për betejën e saj me kancerin e gjirit

Këngëtarja e njohur Anastacia ka folur hapur për vendimin e saj të vështirë për të kryer mastektomi të dyfishtë, duke theksuar se nuk është penduar për zgjedhjen e saj, ka raportuar FemaleFirst. 56-vjeçarja, e cila u diagnostikua për herë të parë me kancer të gjirit në fillim të 30-ve, vendosi të kryente operacionin kur sëmundja iu […]

shkurt 27, 2025 - 15:00
 0  4
Anastacia flet për betejën e saj me kancerin e gjirit

Këngëtarja e njohur Anastacia ka folur hapur për vendimin e saj të vështirë për të kryer mastektomi të dyfishtë, duke theksuar se nuk është penduar për zgjedhjen e saj, ka raportuar FemaleFirst.

56-vjeçarja, e cila u diagnostikua për herë të parë me kancer të gjirit në fillim të 30-ve, vendosi të kryente operacionin kur sëmundja iu rikthye në vitin 2013.

“E kisha marrë tashmë atë vendim. Nëse do të isha me fat që ta kaloja përsëri herët, do t’i hiqja. E di që është një rrugë e vështirë për një grua, por unë doja të fitoja ndaj kancerit dhe ia dola!”, ka thënë ajo në emisionin “Loose Women” në ITV.

Këngëtarja e hitit “I’m Outta Love” ka thënë se pas operacionit, nuk është shqetësuar më për këtë çështje.

“Herën e dytë vendosa të bëja mastektomi, që do të thotë se gjithçka u hoq. Mora një vendim shumë të vështirë herët. Sapo përfundoi operacioni, nuk u shqetësova më. Më pas pata edhe 15 operacione të tjera për t’u siguruar që gjithçka ishte në rregull. Por, ç’rëndësi ka?”, ka thënë tutje këngëtarja.

Në një intervistë të mëparshme për Metro, Anastacia pati sugjeruar se është ndoshta më e njohur për betejën e saj me kancerin sesa për muzikën e saj.

“Ndoshta jam po aq e njohur për luftën kundër kancerit sa edhe për këngët që kam kënduar. Por, nëse kjo ka ndihmuar njerëzit të zbulojnë sëmundjen herët dhe të jenë më të kujdesshëm për shëndetin e tyre, atëherë ia ka vlejtur që të flas për këtë”, pati thënë ajo.

Anastacia, e cila gjithashtu vuan nga sëmundja e Crohnit, gjendje kronike që shkakton inflamacion në sistemin tretës, ka pranuar se kishte vështirësi të përdorte fjalën “kancer” dhe shpiku një mënyrë humoristike për ta zëvendësuar atë.

“Ishte e tmerrshme, por duhet të gjesh diçka pozitive. Unë gjithmonë mundohem të gjej diçka për të qeshur, jo për ta minimizuar, por për të gjetur dritën në errësirë. E qeshura është dritë, negativiteti është errësirë. Në fillim, fjala ‘kancer’ ishte shumë e vështirë për t’u thënë. Por tre shkronjat e para më dukeshin më të pranueshme. Në vend që të thosha ‘kam kancer’, thosha ‘kam gjokse toksike’”, ka shpjeguar ylli.