Andonovski paralajmëroi mbylljen graduale të Fondit për Inovacion
Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski paralajmëroi mbylljen graduale të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT) gjatë këtij viti për shkak të, siç tha ai, keqpërdorimeve të shumta financiare dhe krimeve të kryera nga disa udhëheqësi të mëparshme të institucionit, transmeton Portalb.mk. Plani, siç deklaroi Andonovski në daljen e mbrëmshme në Televizionin Telma, është […]
Ministri i Transformimit Digjital Stefan Andonovski paralajmëroi mbylljen graduale të Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZhT) gjatë këtij viti për shkak të, siç tha ai, keqpërdorimeve të shumta financiare dhe krimeve të kryera nga disa udhëheqësi të mëparshme të institucionit, transmeton Portalb.mk.
Plani, siç deklaroi Andonovski në daljen e mbrëmshme në Televizionin Telma, është që pas mbylljes së Fondit, përgjegjësitë t’i marrin Ministria e Transformimit Digjital, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet e tjera përkatëse.
“Ideja është që Fondi të mbyllet dhe kjo do të ndodhë gjatë vitit 2025, dhe përgjegjësitë në drejtim të zhvillimit teknologjik, risitë do t’i marrin institucionet që janë të përshtatshme për këtë, në aspektin e zhvillimit teknologjik, inovacioneve digjitale, gjegjësisht ministria jonë, ndërsa në projekte dhe inovacione shkencore – Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Sipas planit për këtë do të veprohet”, tha Andonovski.
Ministri bëri të ditur se këtë javë do të ngrihen kallëzime penale për projekte të ndryshme që nuk janë realizuar asnjëherë por janë paguar.
“Doli që Fondi i Inovacionit me të gjithë drejtorët e tij të mëparshëm në gjashtë vitet e fundit ka punuar në mënyrë shumë kriminale. Në pyetje janë dëme disa milionë euro. Fatkeqësisht, Fondi ka humbur besueshmërinë tek qytetarët dhe nëse nesër hapim një program të ri në Fondin e Inovacionit, njerëzit do të thonë se jeni njësoj si të mëparshmit. Ashtu si të mëparshmit jepnin para për geta, për receta picash, për tualet jobinar, kështu do të bëni edhe ju. Nuk mund ta lejojmë këtë”, shtoi ministri.
Ai i ka dërguar mesazh menaxhmentit aktual të Fondit që të punojë edhe më shumë në auditim, në mënyrë që siç tha ai të zbardhet gjithçka që ka ndodhur në institucion.
Ndryshe, raportohet se Prokuroria Publike po heton rastin ku të dyshuar janë ish-drejtorët të Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Festim Halili dhe Kosta Petrov. Që të dy dyshohen se kanë kryer vepër penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe se kanë mundësuar pagesa joligjore të granteve. Rastet përfshijnë tre projekte të dyshimta sikurse “Green Hojo”, “Frotirka AD Dellçevë” dhe “Sekreti i romakëve – Pinsa Romana”, me çka dëmi financiar tejkalon 23 milionë denarë.
Kosta Petrov, ka qenë i pakapshëm për deklaratë, derisa ish drejtori i Fondit, Festim Halili, i ka hedhur poshtë si të pavërteta akuzat e Prokurorisë. Ai ka thënë se derisa ka qenë drejtor, Fondi ka punuar në mënyrë transparente dhe gjatë çdo thirrjeje, aplikimi dhe realizimi të projekteve, janë respektuar të gjitha procedurat.