Andonovski: Propozojmë që me ligj të ndalohen kazinotë ilegale online
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në një paraqitje për TV 24, tha se Ligji për komunikime elektronike propozon ndalimin e lojërave ilegale të fatit në internet apo kazinove online. Ai tha se në Maqedoni nuk ka asnjë institucion privat të licencuar për organizimin e lojërave të fatit online, dhe qytetarët e dinë se të […]
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në një paraqitje për TV 24, tha se Ligji për komunikime elektronike propozon ndalimin e lojërave ilegale të fatit në internet apo kazinove online. Ai tha se në Maqedoni nuk ka asnjë institucion privat të licencuar për organizimin e lojërave të fatit online, dhe qytetarët e dinë se të tilla janë të shumta, janë zbuluar rreth 160 ofrues që janë të pranishëm në tregun maqedonas, por që nuk kanë licencë për të organizuar lojëra fati online, transmeton Portalb.mk.
Ai tha gjithashtu se Ministria e Transformimit Digjital ka punuar për ndryshimet ligjore në koordinim me institucionet e tjera që preken në këtë fushë.
“Ne i informuam operatorët globalë të lojërave të fatit të cilët asnjëherë nuk kanë marrë dhe as nuk kanë aplikuar për licencë në Maqedoni se janë në kundërshtim me ligjin dhe paralelisht kemi punuar për ndryshime në ligj, jemi munduar që të mos cenojmë kompetencat e Ministrisë së Financave, DAP-it dhe Lotarisë shtetërore dhe bashkë me ta arritëm një zgjidhje ligjore e cila kaloi në Qeveri dhe pas 7 ditësh u fut në procedurë parlamentare dhe pres që të kalojë në komisionin për transformim digjital”, tha Andonovski.
Sipas tij, kjo është një nga mënyrat për të parandaluar qasjen e të rinjve në lojërat e paligjshme të fatit online dhe shkëmbimin e të dhënave që lehtë mund të keqpërdoren.
Ndryshimet në ligj vijnë pasi Meta dhe Portalb shkruan gati tre muaj më parë për varësinë e padukshme, problem i shumë të rinjve për të cilin thuajse askush nuk flet. Profesoresha Liljana Ignjatova, adiktologe dhe psikiatre me përvojë shumëvjeçare në ndërtimin e politikave për drogën dhe sjelljen e varësisë, profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup dhe psikiatre në Qendrën për parandalimin dhe trajtimin e varësive në Spitalin Psikiatrik në Shkup, i tha në një intervistë për Meta.mk se kumari online krijon më shumë varësi dhe më i lehtë për të zhvilluar varësinë.
Është më e lehtë ta rregullosh një kazino ku luhet me prani fizike, sepse në këtë rast të miturit nuk do të mund të hynin në të. Të rinjtë janë shumë më shpesh të përfshirë në lojërat e fatit në internet, e tek ato monitorimi, kontrolli dhe rregullimi është më i vështirë. Pse të rinjtë janë më të ndjeshëm ndaj zhvillimit të varësisë? Zhvillimi i trurit përfundon pas moshës 25 vjeçare. Pjesa e trurit që është përgjegjëse për vendimmarrjen, për marrjen e vendimeve të sakta, për vlerësimin e rreziqeve, nëse duhet bërë diçka apo jo, është ajo që piqet e fundit. Kjo është pjesa që thotë “Stop”, pra freni. Ajo nuk funksionon si te të rriturit, ajo pjesë piqet e fundit. Prandaj të rinjtë janë më të prekshëm ndaj zhvillimit të varësisë”, tha prof. d-r. Ignjatova.
- LEXO: Bixhozi, varësi e padukshme: Problem i shumë të rinjve në RMV për të cilin pothuajse askush nuk flet
Ndryshe, pas vendimit të qeverisë për ndalimin e lojërave të fatit në internet, ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në fillim të muajit tetor, tha se hapi i radhës do të jetë zbulimi dhe mbyllja e të gjitha faqeve që prezantojnë lojërat e fatit në internet dhe në këtë aksion, përveç atyre të vendit do të përfshihen edhe lojtarët e huaj në treg.
Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. Pritet të merret vendimi edhe për shuarjen e “MegaWin”, kompanisë së vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut. Këtë e paralajmëroi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, i cili tha se “Megawin” është 100% kompani shtetërore, dhe se për mbylljen e së njëjtës ka procedurë të posaçme.