Antikorrupsioni: Të ndërpriten praktikat për marrëveshje partiake për punësime në administratën publike të RMV-së

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka reaguar për punësimet në administratën publike. KSHPK-ja thekson se shpalljet aktuale për punësim në administratën publike, nga subjekte të caktuara politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk guxojnë të jenë objekt i marrëveshjes ndërmjet strukturave politike. Çdo punësim duhet të jetë në përputhje me ligjin, sipas […]

shkurt 24, 2025 - 18:00
 0  3
Antikorrupsioni: Të ndërpriten praktikat për marrëveshje partiake për punësime në administratën publike të RMV-së
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit (Antikorrupsioni). Foto: Portalb.mk

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka reaguar për punësimet në administratën publike. KSHPK-ja thekson se shpalljet aktuale për punësim në administratën publike, nga subjekte të caktuara politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, nuk guxojnë të jenë objekt i marrëveshjes ndërmjet strukturave politike. Çdo punësim duhet të jetë në përputhje me ligjin, sipas sistemit meritor dhe pa asnjë ndikim, transmeton Portalb.mk.

“Vetëm në këtë mënyrë, duke respektuar rregulloret ligjore, do të mundësojmë kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e sistemit, do të parandalojmë sjelljet korruptive, tregtinë e influencës dhe klientelizmin partiak. Çdo deklaratë për punësime partiake “kontraktuale” në administratën publike cenon besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe gjeneron rreziqe korruptive në procedurat e punësimit”, thuhet në reagim

Antikorrupsioni njofton se, në drejtim të ushtrimit të kompetencave ligjore parandaluese, Komisioni ka kryer tashmë një inspektim antikorrupsion të ligjeve të propozuara për punësimin në sektorin publik dhe i ka vënë në dukje propozuesit rreziqet e mundshme të korrupsionit që ato gjenerojnë.

Kryeministri Mickoski dhe zv/kryeministri Mexhiti, janë përplasur rreth punësimeve në administratën publike.

“Derisa unë jam kryeministër nuk do të ketë një gjë të tillë”, kështu tha kryeministri Hristijan Mickoski për njoftimin e zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti se në administratën shtetërore dhe publike brenda një viti do të punësohen mijëra shqiptarë.

“Një gjë e tillë nuk ka dhe nuk do të ketë derisa unë të jem kryetar i Qeverisë maqedonase. Do të punësohen dhe është mirë të punësohen njerëz që do të jenë kompetentë dhe që do t’i përgjigjen në mënyrë të duhur atyre punëve. Tani, ne nuk kemi nevojë të diskutojmë për çelësat partiakë, çelësat etnikë, e kemi thënë”, tha Mickoski.

Ai shtoi se pas shfuqizimit të “Balancuesit” do të bëjnë një ligj që të ketë përfaqësim të drejtë, etnik.

“Duke qenë se ‘Badenteri” është kategori kushtetuese, ne duhet të harmonizojmë legjislacionin në përputhje me kategorinë kushtetuese. Dikush mund të ulet dhe të bëjë lista, këtë nuk e përjashtoj, por përderisa unë jam kryeministër, një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, tha Mickoski.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor Izet Mexhiti në një aktivitet të partisë që drejton (Lëvizjes Demokratike) tha se Qeveria do të realizojë punësime të shqiptarëve. 

Megjithatë pas reagimeve në opinion dhe nga funksionarët, Mexhiti ndryshoi fjalët.

“Në vazhdimësi ka nevojë për punësime të reja. Kam folur për transformimet e vendimeve në shëndetësi të cilat vite të tëra kanë mbetur, 10 vite, 9 vite me kontratë në vepër. Ka vendim të qeverisë për transformim të vendimeve. Janë 1.500 punësime, po ashtu do të vazhdohet edhe në sektorët tjerë”, tha Mexhiti. 

Punësimet e mijëra shqiptarëve të cilat i paralajmëroi zëvendëskryeministri Izet Mexhiti kanë nxitur mospajtueshmëri në koalicionin qeverisës të RMV-së. Kundër kësaj reagoi edhe ministri i Administratës Publike Goran Minçev.

Pas shfuqizimit të “balancuesit”, në Republikën e Maqedonisë nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të etnive. Eksponentë të koalicionit VLEN nëpër daljet e tyre publike zotohen se po punojnë për përpilimin e ligjit të ri, por deri më sot nuk ka asgjë konkrete.