Arbër Ademi i ashpër ndaj Filkovit: Problemi i tij nuk është Kushtetuta, por mentaliteti

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj letrës publike të ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, drejtuar zëvendëskryeministrit Bekim Sali, duke e akuzuar ministrin për qasje shoviniste dhe mungesë The post Arbër Ademi i ashpër ndaj Filkovit: Problemi i tij nuk është Kushtetuta, por mentaliteti appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

shkurt 10, 2026 - 00:30
 0
Arbër Ademi i ashpër ndaj Filkovit: Problemi i tij nuk është Kushtetuta, por mentaliteti

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, ka reaguar ashpër ndaj letrës publike të ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, drejtuar zëvendëskryeministrit Bekim Sali, duke e akuzuar ministrin për qasje shoviniste dhe mungesë argumentesh juridike lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, përcjell Gazeta Flaka

“E lexova Filkovin, i cili debaton me zëvendëskryeministrin Sali nëpërmjet rrjeteve sociale. Më vjen keq për ministrin Filkov. Ai është shembulli tipik i një shovinisti të vogël, i kalitur nga agjenturat e Beogradit. Problemi i tij nuk është Kushtetuta, as ligji, por mentaliteti i tij”, shkruan Ademi.

Sipas tij, ministri i Drejtësisë nuk ka asnjë argument juridik në anën e vet dhe po shfaqet si amator në një çështje serioze kushtetuese.

“As sarkazma nuk i shkon, kur flet për z. Sali si stomatolog e politikan, ndërkohë që vetë ai, si jurist, po na shfaqet si amator me probleme serioze dhe shqetësuese”, thekson Ademi.

Duke hyrë në argumentimin juridik, nënkryetari i BDI-së rikujton se Ligji për përdorimin e gjuhëve, i miratuar në vitin 2018, ka operacionalizuar për herë të parë në mënyrë të plotë normën kushtetuese për përdorimin e gjuhëve si normë e përgjithshme.

Ai citon nenin 1, paragrafi 3 të këtij ligji, sipas të cilit gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve është gjuhë zyrtare në të gjitha organet shtetërore, institucionet, ndërmarrjet publike dhe komisionet.

“Mbi bazën e kësaj dispozite është e qartë se edhe në komisione, siç është Komisioni për provimin e jurisprudencës, gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve, në mënyrë të përcaktuar me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, e jo me ndonjë ligj tjetër”, thekson Ademi.

Sipas tij, insistimi që kjo çështje të trajtohet përmes Ligjit për provimin e jurisprudencës apo përmes interpretimeve të tjera është i gabuar, pasi Ligji për përdorimin e gjuhëve është “lex specialis” dhe ka epërsi ndaj të gjitha akteve të tjera normative.

“Çdo veprim që tenton trajtimin parcial të përdorimit të gjuhëve apo përpjekjet për ta ‘çmontuar’ Ligjin për përdorimin e gjuhëve nuk duhet lejuar. Ligji ka mekanizmat e vet dhe duhet të zbatohet në mënyrë pragmatike”, shprehet ai.

Ademi sqaron gjithashtu se para miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, përdorimi i gjuhës shqipe në komisione nuk ka qenë i zbatueshëm vetëm mbi bazën e amendamentit kushtetues, për shkak të karakterit të tij të përgjithshëm.

“Në këtë pjesë, trajtimi normativ është i mjaftueshëm me dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe nuk ka nevojë që e njëjta çështje të rregullohet edhe me ligje të tjera”, shton Ademi.

Në fund, ai thekson se ndonëse ka dallime të mëdha politike dhe konceptuale me Bekim Salin, në këtë debat qëndron në të njëjtën anë me të.

“Edhe pse është stomatolog, z. Sali e ka thënë një gjë saktë: Kushtetuta është e qartë dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve është i qartë. Prandaj, në këtë debat jam në anën e tij kundër ministrit Filkov, i cili mori edhe kritikat më të mëdha në Raportin e Komisionit Evropian”, përfundon Arbër Ademi. Gazeta Flaka

The post Arbër Ademi i ashpër ndaj Filkovit: Problemi i tij nuk është Kushtetuta, por mentaliteti appeared first on Flaka, në çdo lajm... .