Arrestohet shtetasi i Maqedonisë në hyrje të Kosovës me 16 mijë franga të falsifikuara
Një rast serioz i falsifikimit të parasë është zbuluar nga autoritetet doganore dhe policore në Pikën Kufitare të Hanit të Elezit, ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e monedhave të falsifikuara të valutës zvicerane, raporton Gazeta Sinjali. Burime të sigurta brenda hetuesisë bëjnë me dije se më 12 korrik 2025, rreth orës 21:15, në […]

Një rast serioz i falsifikimit të parasë është zbuluar nga autoritetet doganore dhe policore në Pikën Kufitare të Hanit të Elezit, ku është sekuestruar një sasi e konsiderueshme e monedhave të falsifikuara të valutës zvicerane, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të sigurta brenda hetuesisë bëjnë me dije se më 12 korrik 2025, rreth orës 21:15, në hyrje të Kosovës ka hyrë një veturë Audi A2, ngjyrë e gjelbër metalike, e cila drejtohej nga S.Xh, rreth 44-vjeçar shtetas i Maqedonisë së Veriut.
Fillimisht, zyrtarët kufitarë dhe doganorë kanë bërë kontrollin e dokumentacionit, ndërsa vetura është selektuar për kontroll të detajuar në vijën e dytë. Pasi i dyshuari kishte deklaruar se nuk posedonte asgjë për të raportuar, gjatë kontrollit nën ulëset e përparme janë gjetur 16 qese me monedha metalike të dyshuara të falsifikuara – gjithsej 8,076 copë, me vlerë të deklaruar dy franga për secilën, për një shumë totale mbi 16 mijë franga zvicerane.
Në vendin e ngjarjes ka dalë njësia e hetimeve rajonale nga DRPK Lindje – Kaqanik, ku pas verifikimeve të para, është konstatuar dyshimi për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Me urdhër të Prokurorit për Krime të Rënda, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa vetura dhe monedhat e falsifikuara janë sekuestruar.
Rasti është proceduar tutje tek Njësia e Hetimeve Rajonale për veprime të mëtejme hetimore.
