Zëvendëskryeministri Mexhiti: Hoteli “Ëmbla” në Strugë, një shembull i vizionit për zhvillim lokal dhe turizëm cilësor
Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, z. Arben Mexhiti, ishte i pranishëm në hapjen solemne të hotelit “Ëmbla” në Strugë, një investim i rëndësishëm që pritet të sjellë rritje të cilësisë së shërbimeve turistike dhe zhvillim ekonomik për qytetin. Në deklaratën e tij gjatë ngjarjes, Mexhiti tha: “Ishte kënaqësi të jem mysafir […]

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, z. Arben Mexhiti, ishte i pranishëm në hapjen solemne të hotelit “Ëmbla” në Strugë, një investim i rëndësishëm që pritet të sjellë rritje të cilësisë së shërbimeve turistike dhe zhvillim ekonomik për qytetin.
Në deklaratën e tij gjatë ngjarjes, Mexhiti tha:
“Ishte kënaqësi të jem mysafir në hapjen e hotelit ‘Ëmbla’ në Strugë, një investim serioz dhe vizionar, që i shton vlerë edhe gjithë qytetit. Ky hotel, i vendosur në zemër të Strugës, përfaqëson më së miri ndërthurjen e traditës me modernitetin, të mikpritjes lokale me standardet bashkëkohore të shërbimit. Nuk është thjesht një strukturë akomoduese, por një koncept i ndërtuar me kujdes, që reflekton dashurinë për qytetin dhe për zhvillimin e qëndrueshëm të tij.”
Zëvendëskryeministri shprehu mirënjohje për investitorin Mendi Qyra, duke e cilësuar si një qytetar të përkushtuar që po jep kontribut të drejtpërdrejtë për komunitetin lokal.
“E uroj ideatorin e këtij projekti madhor, z. Mendi Qyra, një qytetar i përkushtuar dhe emër i njohur për punën dhe angazhimin e tij konkret në të mirë të komunitetit. Është për t’u vlerësuar vizioni i tij për të investuar në Strugë, për të krijuar vende të reja pune dhe për të kontribuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve në qytet.”
Duke theksuar potencialin e madh që ka Struga, Mexhiti përfundoi me një mesazh mbështetës për iniciativa të tilla:
“Struga ka potencial të jashtëzakonshëm turistik, kulturor dhe ekonomik. Projekte si ‘Ëmbla’ janë shembull i qartë se si ky potencial mund të vihet në funksion të zhvillimit lokal. Urime z. Qyra për realizimin e këtij projekti dhe gjithë stafit që do të jetë pjesë e këtij suksesi. Uroj që ‘Ëmbla’ të jetë një histori e gjatë dhe e suksesshme për Strugën dhe për gjithë vizitorët që do të kalojnë pragun e saj!”
