ASH-ja e Selës: U kemi shkruar përfaqësive diplomatike të SHBA-së dhe BE-së për partizimin e AShMAA-së

Aleanca për Shqiptarët ka alarmuar përfaqësitë diplomatike të SHBA-së, BE-së, vendeve anëtare të BE-së, Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit për zhvillimet e fundit dhe siç thonë nga kjo parti, tentimet e partive në pushtet për të kapur Këshillin Drejtues të Agjencisë për Media, transmeton Portalb.mk. “Në letrën nisur ambasadave të lartëpërmendura, kemi potencuar tentimin e partive […]

Nëntor 21, 2024 - 19:00
 0  5
ASH-ja e Selës: U kemi shkruar përfaqësive diplomatike të SHBA-së dhe BE-së për partizimin e AShMAA-së
Aleanca për Shqiparët (ASh). Foto nga Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Aleanca për Shqiptarët ka alarmuar përfaqësitë diplomatike të SHBA-së, BE-së, vendeve anëtare të BE-së, Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit për zhvillimet e fundit dhe siç thonë nga kjo parti, tentimet e partive në pushtet për të kapur Këshillin Drejtues të Agjencisë për Media, transmeton Portalb.mk.

“Në letrën nisur ambasadave të lartëpërmendura, kemi potencuar tentimin e partive të koalicionit qeveritar Vlen për imponimin e dy anëtarëve të tyre partiak në Agjencinë për Media, Nafie Selmani dhe Afrona Vervizoli. Përveç këtij tentimi, ambasadat janë njoftuar edhe për kërcënimet ndaj gazetarëve që kanë raportuar rreth këtij rasti nga ana e kunatit të Vërzivollit”, thuhet në njoftimin e Aleancës për Shqiptarët.

Këshilli është një institucion jashtëzakonisht i rëndësishëm për zbatimin e politikave mediatike.Megjithatë, partitë po tentojnë sërish të politizojnë të gjithë procesin, i cili po përhap rreziqet e korrupsionit, klientelizmit dhe instrumentalizimit të sferës mediatike. Ekziston rreziku që politikat mediatike të vendosen nga interesat partiake dhe drejtuesit e vendosur të medias”, thuhet mes tjerash në letrën drejtuar përfaqësive diplomatike në vend.

Në konkursin publik u regjistruan 31 kandidatë, ndërkohë një u tërhoq dhe gjashtë u skualifikuan pasi nuk kishin dorëzuar certifikatë shtetësie.

Kanë mbetur vetëm 24, por menjëherë para seancës së djeshme të komisionit parlamentar kanë hequr dorë dy nga kandidatët: Mile Bosnjakovski dhe Viktor Grozdanov.

22 kandidatë nga të cilët deputetët duhet të zgjedhin më tej përbërjen e re të ASHMAA janë: Sasho Stefanovski, Nafije Selmani, Dragica Ljubeska, Petar Xhurovski, Emilia Petreska Kamenjarova, Shaban Dalipi, Andriana Skerlev Çakar, Lazo Petrushevski, Zoran Fidanoski, Arben Saiti, Janevska Emilia, Davor Bashoski, Daut Douti, Gordana Majnova, Viktor Pavlovski, Vladimir Gjorgjievski, Elena Stojkovska, Zerijeta Hajro Jajaga, Cvetanka Minovska, Stojançe Naumov, Afrona Vërzivoli dhe Boris Arsov.

Ligji ndalon që një person i emëruar nga Kuvendi ose Qeveria të zgjidhet anëtar i Këshillit. Ligji ndalon gjithashtu të zgjidhen anëtarë të Këshillit personat që kanë qenë anëtarë të organeve drejtuese të partive politike në 10 vitet e fundit. Ligji kërkon që kandidatët të kenë të paktën tetë vjet përvojë pune në këtë profesion dhe që janë dalluar në fushën e komunikimit, gazetarisë, informatikës, kulturës, ekonomisë apo drejtësisë.

Anëtarët aktualë janë zgjedhur në vitin 2014 për një mandat 7-vjeçar. Më pas ligji u ndryshua për të shkurtuar mandatin në 5 vjet, por u bënë edhe ndryshime në mënyrë që mandati i anëtarëve aktualë të zgjasë deri në zgjedhjen e të rinjve. Prej vitesh Kuvendi nuk mund të votonte të reja, gjë që u vu re edhe në raportin e Komisionit Evropian për ecurinë e vendit.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audio-Vizuale (AShMAA) dhe Këshillit Programor të RTM-së, zvarritet prej vitesh, për faktin se partitë maqedonase nuk arrinin të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Kujtojmë se edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, u kërkua një gjë e tillë, pra të emërohen anëtarë të Këshillit Programor të Transmetuesit Publik dhe Këshillin Rregullator të Medias.