“TikToku dëmton fëmijët”: Përderisa Shqipëria përgatitet për ndalesë, RMV-ja e la në harresë nismën e tillë

Pak ditë pas vrasjes së një nxënësi 14 vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në Tiranë, Qeveria e Shqipërisë ka propozuar kufizimin e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat te fëmijët. Një nismë e ngjashme vitin 2023 u propozua edhe në Maqedoninë e Veriut, por nuk u bë asgjë konkrete ndërsa e njëjta mbeti në harresë. […]

Nëntor 21, 2024 - 19:00
 0  5
“TikToku dëmton fëmijët”: Përderisa Shqipëria përgatitet për ndalesë, RMV-ja e la në harresë nismën e tillë
TikTok, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pak ditë pas vrasjes së një nxënësi 14 vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në Tiranë, Qeveria e Shqipërisë ka propozuar kufizimin e rrjeteve sociale TikTok dhe Snapchat te fëmijët. Një nismë e ngjashme vitin 2023 u propozua edhe në Maqedoninë e Veriut, por nuk u bë asgjë konkrete ndërsa e njëjta mbeti në harresë. Ekspertët alarmojnë për ndikimet negative të rrjeteve sociale, megjithatë thonë se mbyllja e tyre duket e pamundur, megjithatë ata propozojnë masa edukative dhe preventive, shkruan Portalb.mk.

Nismë kundër TikTokut dhe Snapchatit në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama pas mbledhjes së Qeverisë tha se vendimi do të sillet pas konsultimet me prindërit dhe mësuesit.

“Dilema është nëse duhet të provojmë të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt nga të gjitha eksperiencat mësojmë se efektiviteti është ende shumë i ulët. Apo të ndërmarrim masë drastike për mbylljen plotë të TikTok dhe të Snapchat në Shqipëri”, ka deklaruar Rama.

Vrasja e 14 vjeçarit ndodhi më 18 nëntor 2024 në qendër të Tiranës nga një bashkëmoshatar i tij, autori u arrestua më pas.

Pas vrasjes, u publikua fotografia e autorit e cila tregonte plagën e tij në dorë dhe duke ngritur grushtin lart. Këtë fotografi ai ua kishte dërguar miqve në rrjetin Snapchat. Ndërkaq ditë para krimit ai kishte postuar po në këtë rrjet fotografi me thikë në dorë.

Në rrjetin TikTok pas vrasjes kanë qarkulluar video të ndryshme ku të rinjtë janë shprehur pro vrasjes.

“Shtetet që kanë sens vendosin masa racionale”, Qeveria e RMV-së hesht

Sociologu dhe profesori universitar Ali Pajaziti për Portalb.mk thotë se rrjetet sociale janë një fuqi e hatashme destruktive nëse shfrytëzohen pa kontroll. Sipas tij, kategoria e njomë e njerëzve i merr ato “si të virgjëra”, nuk ua di mëkatet, aspektet ultra-negative.

“Ata kapen vetëm te aspekti argëtues, i “vrasjes së kohës”, ndërsa dalëngadalë vriten vetë si person dhe spiritualisht, duke u desocializuar dhe duke pranuar sjellje devijante. Andaj shtetet që kanë sens për mbrojtjen e brezave vendosin masa racionale për kufizime në mundësitë e shfrytëzimit të tyre, kuptohet aq sa është e mundur sepse mbyllja e tyre totale duke e pamundshme”, theksoi Pajaziti.

Megjithatë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk nëse planifikojnë kufizim të TikTokut dhe Snapchatit te të rinjtë.

“Në vend të ndalesës, edukim dhe rritje të sigurisë në shkolla”

Forumi për Ndryshime në Arsim thotë se në parim janë kundër çdo lloj kufizimi ose ndalese, përfshirë edhe ndalesën për të përdorur platformat sociale.

“Por në këtë pikë s’ka rëndësi më kush është pro, kush kundër, pasi një gjë e tillë nuk është as praktikisht e realizueshme, me zhvillimet në teknologji sot nëse ndalon një platformë sociale, nesër vetë të rinjtë do i krijojnë dhjetë tjera, madje edhe më të dëmshme”, thonë nga FNA.

Nga atje shtojnë se masat e rrepta që përfshinë ndalesa dhe kufizime duhet të jenë të fundit në listën e institucioneve.

“Të fillojmë nga rritja e sigurisë në shkolla, sidomos në ato fillore, të fillojnë psikologet e shkollave të arsyetojnë pagën që e marrin, të marrin guximin dhe të heqin dorë nga lojërat në celular gjithë ditën, të forcojmë sistemin tonë edukativ pasi përditë prodhojmë analfabetë funksional, kur krejt këto dhe disa masa tjera nuk do funksionojnë, mund të ulemi të diskutojmë për diçka më restriktive”, thanë nga FNA.

Musliu: Ndalesat e tilla kërkojnë investime në infrastrukturën teknologjike

Eksperti i teknologjisë informatike Lokman Musliu ka sqaruar për Portalb.mk se Implementimi i një ndalimi të tillë do të kërkonte investime në infrastrukturën teknologjike për të monitoruar dhe bllokuar qasjen në këto platforma.

“Kjo përfshin përdorimin e filtrave dhe sistemeve të mbikëqyrjes që mund të jenë të kushtueshme dhe teknikisht sfiduese për t’u zbatuar efektivisht (shembull me VPN ato mund përsëri të qasen në rrjete sociale)”, tha Musliu.

Ai më tej sqaron se një masë e tillë mund të ndeshet me kundërshtime nga ata që besojnë se ndalimi është një shkelje e lirisë personale dhe se edukimi mbi përdorimin e sigurt të mediave sociale është një zgjidhje më efektive.

“Në vend të ndalimit total, qeveria mund të shqyrtojë masa alternative si edukimi mbi sigurinë online, krijimi i mekanizmave raportimi për abuzimet online, dhe forcimi i rregullave për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët. Kjo do t’i ndihmonte ata të kuptonin rreziqet pa kufizuar plotësisht qasjen në informacion”, tregoi Musliu.

RMV-ja filloi nismë për kufizimin e TikTokut, por e harroi

Në maj të vitit 2023, pas tragjedisë në Beograd të Serbisë ku një 14 vjeçar vrau tetë nxënës dhe rojën e shkollës ndërsa plagosi disa të tjerë, në Maqedoninë e Veriut filloi të diskutohet ndalimi dhe kufizimi i rrjetit TikTok dhe rrjeteve tjera sociale që nxisin dhunë.

Këtë fillimisht e pati propozuar Monika Zajkova kryetarja dhe deputetja e Partisë Liberal Demokratike (PLD).

Më pas ministri i atëhershëm i Arsimit Jeton Shaqiri, pati njoftuar se do t’i propozojë Qeverisë dhe autoriteteve të sigurisë vlerësim urgjent të situatës dhe rreziqeve të sigurisë, të cilat në masë të madhe ushqehen nga disa rrjete sociale, si “TikTok”. Ai pati përmendur edhe kufizimin apo pamundësimin e rrjeteve sociale në shkolla.

Ndërkaq Ministria e Shoqërisë Informatike pati thënë se qëndrim përfundimtar për një masë të tillë mund të pasojë vetëm pas një aktiviteti të koordinuar me institucionet e drejtësisë dhe institucionet tjera arsimore dhe të sigurisë në shtet.

Sektori civil aso kohe u pat shprehur skeptik për ndalimin e mundshëm të paralajmëruar të rrjetit TikTok.

Megjithatë kjo temë u harrua brenda ditësh dhe nuk pati asgjë konkrete më tej që atëherë.

Sfidat e TikTokut morën edhe jetë në RMV

Kujtojmë që në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar disa raste alarmante nga TikToku.

Gjatë vitit 2022 një vajzë në moshë të re pësoi djegie nga rryma pasi ishte ngjitur në një vagon për të bërë foto dhe i njëjti u shkëput dhe iu afrua rrjetit elektrik.

Alarmi në 2022 u ngrit edhe për sfidën e TikTokut ku të rinjtë shtriheshin në rrugë dhe prisnin derisa t’ju afrohej automjeti i parë dhe më pas të ikin.

Portalb.mk ka trajtuar tashmë përdorimin e rrjeteve sociale nga ana e të rinjve në vend. Sipas ekspertëve, depresioni dhe anksioziteti i të rinjve vjen nga keqpërdorimi i rrjeteve sociale.

Raste alarmante të sfidave nga TikToku janë regjistruar edhe në Kosovë.