ASH krahu i Selës: Pushteti tenton të partizojë Këshillin për media përmes kuadrove partiake

Alenaca për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës, akuzon se pushteti tenton të partizojë Këshillin për media përmes kuadrove partiake. Sipas tyre, “pas tentativës për të kapur Këshillin e Prokurorëve, tani partitë e koalicionit VLEN, në bashkëveprim me VMRO-në duan ta kapin Këshillin e Agjencisë për Veprimtari Audio dhe Audiovizuele, me dy kandidate kryekëput partiake […]

Nëntor 12, 2024 - 18:00
 0  8
ASH krahu i Selës: Pushteti tenton të partizojë Këshillin për media përmes kuadrove partiake
Media, gazetarë, gazetari. televizion, kamera, foto: Suad Bajrami

Alenaca për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës, akuzon se pushteti tenton të partizojë Këshillin për media përmes kuadrove partiake. Sipas tyre, “pas tentativës për të kapur Këshillin e Prokurorëve, tani partitë e koalicionit VLEN, në bashkëveprim me VMRO-në duan ta kapin Këshillin e Agjencisë për Veprimtari Audio dhe Audiovizuele, me dy kandidate kryekëput partiake të paraqitura në konkurs që tanimë kanë kaluar komisionin amë dhe tentojnë t’i votojnë edhe në seancë plenare”, transmeton Portalb.mk.

“Në kundërshtim me Ligjin dhe kushtet e konkursit, komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emrimeve kaloi listën ku bëjnë pjesë edhe dy kandidatet, Afrona Vërzivolli dhe Nafie Selmani. E para është kandidate e grupit të Arben Taravarit, e nominuar më herët për Kryerevizore e fondeve IPA, anëtare partiake dhe bashkëshorte e kryetarit të degës së grupit të Taravarit në Likovë, Adrian Demiri. Edhe në postin për kryerevizor ku u refuzua për shkak të mospërmbushjes së kushteve, Vërzivolli u propozua në Qeveri si kuadër partiak. Kandidatja tjetër, Nafie Selmani, ka qenë kandidate e Alternativës për kryetare e Qytetit të Shkupit, kandidate për këshilltare komunale në Çair si dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, kandidate e kësaj partie në listën për deputetë”, thonë nga ASH.

Nga kjo parti shtojnë se zgjedhja eventuale e dy kandidateve të nominuara nga partnerët qeveritarë, si dhe disa anëtarëve të tjerë të afërt me VMRO-në dhe partitë e tjera politike, “nënkupton partizim skandaloz të këshillit për media” që duhet të jetë trup i pavarur.

“Liria e mediave dhe gazetarëve është një nga shtyllat kryesore të demokracisë që nuk guxojmë të lejojmë të cënohet nga interesat e ngushta partiake të Qeverisë aktuale jolegjitime”, thonë nga ASH.

Kujtojmë se Kuvendi para dy muajsh publikoi shpalljen për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë nga radhët e komuniteteve etnike. Anëtarët e Komisionit dhanë përkrahje që Ardian Demiri, avokat nga Struga dhe Vedat Salihi, jurist i diplomuar me provim të jurisprudencës nga fshati Haraçinë të zgjidhen për anëtarë të Këshillit të prokurorëve publikë. Megjithatë, më 8 nëntor, është tërhequr propozimi për zgjedhjen e anëtarëve.