Atentati i dytë i mori jetën, ky është Isuf Jaçaj – I biri në burg për përkrahje të autorëve në një plagosje
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Sarandë, ku humbi jetën 58-vjeçari Isuf Jaçaj. Viktima rezulton person me precedentë penalë dhe është babai i Klaus Jaçajt, aktualisht i burgosur për “përkrahje të autorit të krimit” në një ngjarje të ndodhur më 17 korrik 2025, […]


Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Sarandë, ku humbi jetën 58-vjeçari Isuf Jaçaj.
Viktima rezulton person me precedentë penalë dhe është babai i Klaus Jaçajt, aktualisht i burgosur për “përkrahje të autorit të krimit” në një ngjarje të ndodhur më 17 korrik 2025, kur u plagosën me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama, në lagjen nr. 4 të Sarandës.
Pak ditë pas asaj ngjarjeje, më 21 korrik, një person i maskuar me maskë silikoni vendosi eksploziv në automjetin e Klaus Jaçajt, duke e shkatërruar plotësisht. Kjo ngjarje mbetet ende e pazbardhur.
Kujtojmë këtu se atentati i sotëm ndodhi pak minuta para mesnatës. Automjeti tip fuoristradë u shkatërrua plotësisht, ndërsa trupi i pajetë i 58-vjeçarit u gjet brenda tij.
Sipas të dhënave paraprake, shpërthimi u shkaktua nga një sasi lënde plasëse e vendosur në mjet. Shpërthimi shkaktoi gjithashtu dëme materiale në disa biznese përreth dhe në një automjet tjetër të parkuar afër.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie dhe ekspertë të anti-eksplozivit, të cilët po hetojnë për zbardhjen e plotë të atentatit dhe identifikimin e autorëve.