Avokatja Gashi-Bytyqi: Ka shumë gjasa që t’i ulet dënimi Salih Mustafës
Avokatja e akredituar nga Gjykata Speciale, Fehmije Gashi-Bytyqi ka potencuar për Front Online se ka shumë gjasa që t’i ulet dënimi Salih Mustafës. Gashi-Bytyqi thotë se kur të akuzuarit dënohet me dënime të larta, Ligji e lejon që të shqyrtohen ato. Ajo deklaron se ky vendim për Mustafën mund të ndikojë edhe tek të akuzuarit […]
Avokatja e akredituar nga Gjykata Speciale, Fehmije Gashi-Bytyqi ka potencuar për Front Online se ka shumë gjasa që t’i ulet dënimi Salih Mustafës.
Gashi-Bytyqi thotë se kur të akuzuarit dënohet me dënime të larta, Ligji e lejon që të shqyrtohen ato.
Ajo deklaron se ky vendim për Mustafën mund të ndikojë edhe tek të akuzuarit e dënuarit e tjerë në Hagë.
“Ka shumë gjasa që t’i ulet dënimi për ata duhet të analizohet edhe një herë vendimi. Kur të jepen këto vendime kaq të mëdha, ligji lejon të shqyrtohen. Shpresoj që t’i ulet, apo t’i kthehet lënda në rigjykim që të ketë arsyeshmëri të madhe vendimi me të cilin ju ka dhënë. Ky vendim mund të ketë ndikim edhe të tjerët”, u shpreh ajo.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.
Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.
Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara (emri zyrtar i Gjykatës Speciale), vuajtja e dënimit me burgim bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara e cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar.
“Transferimi i personit të dënuar në atë shtet bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme pasi të ketë kaluar afati për dorëzimin e një apeli, apo pasi vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë. Deri në finalizimin e përgatitjeve prej Administratorit për transferimin në shtetin ku do të kryhet dënimi, i dënuari mbahet në paraburgimin e Dhomave të Specializuara”, thuhet në Rregulloren e procedurës dhe provave të këtij institucioni.