AVONET: Të ndalohet dhënia e kundërligjshme në shfrytëzim e pronave komunale nga kryetari i Ferizajt
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET, kërkon që urgjentisht të shkëputen marrëveshjet me subjektet të cilat shfrytëzojnë pronat komunale kundërligjshëm. AVONET gjithashtu kërkon nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë që në lidhje me këto gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), ex officio të iniciojë procedurë penale ndaj personave përgjegjës. Rrjeti i OJQ-ve AVONET, thotë […]
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET, kërkon që urgjentisht të shkëputen marrëveshjet me subjektet të cilat shfrytëzojnë pronat komunale kundërligjshëm. AVONET gjithashtu kërkon nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovë që në lidhje me këto gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditorit (ZKA), ex officio të iniciojë procedurë penale ndaj personave përgjegjës.
Rrjeti i OJQ-ve AVONET, thotë së ka shqyrtuar dhe ka analizuar me kujdes raportin e fundit të auditimit të pajtueshmërisë të titulluar “Dhënia në Shfrytëzim e Pronave Komunale dhe Monitorimi i Tyre në Komunën e Ferizajt” për periudhën 01.01.2022 – 30.09.2023, të hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Ne shprehim shqetësimin tonë të madh për gjetjet e këtij raporti, të cilat tregojnë një menaxhim të dobët dhe të papërgjegjshëm të pronave komunale nga ana e Komunës së Ferizajt.
“AVONET është jashtëzakonisht e shqetësuar me gjetjen e cila dëshmon se Kryetari i Komunës ka dhënë në shfrytëzim subjekteve tjera qendrën e trajnimeve në Greme dhe qendrën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, pa respektuar fare dispozitat e Ligjit nr. 06/L-092, për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës, kjo për faktin se i njëjti (Kryetari i Komunës) me rastin e dhënies në shfrytëzim të këtyre pronave nuk ka marr fare aprovim nga Kuvendi Komunal i Ferizajt, i cili është organi përgjegjës për aprovimin e dhënies në shfrytëzim të pronave komunale”, thuhet në reagim.
Disa nga gjetjet e tjera kryesore të raportit sipas AVONET përfshijnë:
-Dështimin në Ruajtjen dhe Përmirësimin e Vlerës së Pronave – Komuna e Ferizajt ka dështuar të ruajë dhe të rrisë vlerën e pronave të dhëna me qira, me rreth 66% të mostrave të testuara që kanë rezultuar me parregullsi.
-Raportimi dhe Monitorimi – Kryetari i Komunës së Ferizajt nuk ka paraqitur asnjë raport Kuvendit Komunal lidhur me monitorimin e realizimit të kontratave dhe përmbushjen e qëllimit të dhënies në shfrytëzim të pronave të paluajtshme;
-Investimet e Paracaktuara – Në gjashtë raste të shqyrtuara, shfrytëzuesit nuk kanë realizuar investimet e përcaktuara me kontratë, problem ky që daton që nga viti 2017;
-Bartja e Drejtës së Shfrytëzimit – Në tre raste, shfrytëzuesit/qiramarrësit kanë bartur të drejtën e shfrytëzimit tek palët e treta pa miratim paraprak nga komuna, dhe kjo nuk është identifikuar nga komuna për të ndërmarrë veprime parandaluese;
-Mosarkëtimi i Qirasë – Në shtatë raste, qiramarrësit nuk kanë paguar qiranë sipas afatit të përcaktuar me kontratë. Vetëm në një rast, shuma e papaguar arrin vlerën prej 64,525.56€. Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të arkëtuar këto shuma të papaguara nga qiraja.
AVONET i bën thirrje urgjente kryetarit të Komunës së Ferizajt që të reflektojë sa më shpejt mbi këto gjetje dhe të ndërmarrë veprime konkrete për të korrigjuar këto mangësi të rënda. Është e domosdoshme që të merren masa për të siguruar menaxhimin e duhur dhe të përgjegjshëm të pronave komunale, në mënyrë që të mbrohet dhe rritet vlera e këtyre aseteve të rëndësishme për qytetarët e Ferizajt.